Ky është i arrestuari nga Antidroga në Prizren, zbulohen edhe emrat e dy të arratisurve
Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste ku persona kapen me drogë, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar në Prizren, derisa Njësiti i Antidrogës ka kontrolluar banesën dhe veturën e një të dyshuari.
Aty janë gjetur dhe sekuestruar 12.49 gramë substance të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe 1.49 gramë kokainë.
Gazeta Sinjali mëson se në vend të ngjarjes për këtë rast është arrestuar i dyshuari Emis Tarakaj, ndërsa dy personat e tjerë që ishin me të Sali Salihu dhe Ali Saramati kanë arritur të ikun.
Siç mëson Gazeta Sinjali njëri nga ta është hedhur nga dritarja.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia në Prizren, e cila ka njoftuar se në cilësi të provave materiale ka sekuestruar edhe 3 telefona celularë, një thikë, një sprej, një veturë dhe 137 euro para të gatshme.
Emis Tarakaj do të hetohet për veprën penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/