Prizreni, si qendra e dytë më e madhe pas kryeqendrës ka të licencuara afro 250 auto-taksi, derisa ka ankesa për një numër tjetër, që vepron në mënyrë ilegale, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Në adresën e portalit kanë ardhur disa ankesa nga për numrin e madh të taksive të cilët janë duke vepruar nëpër qytet dhe komunën e Prizrenit.
Njëri nga taksistët që preferoi të mbetet anonim, tha se përpos të licencuarve pothuajse çdo javë i bie ta sheh për herë të parë ndonjë veturë që ka nisur këtë veprimtari, ndërsa ai dyshon se ata punojnë ilegalisht, duke u sjell dëm për shkak të çmimeve më të lira që ofrojnë, meqenëse nuk paguajnë obligime ndaj shtetit.
Referuar rregullores për dhënien e shërbimeve, Prizreni për kokë banori duhet të këtë rreth 300 taksi.
Sipas Zyrës për Informim të Komunës së Prizrenit, numri legal i regjistruar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike për vitin 2018 është 237 auto-taxi dhe 6 kompani që veprojnë si Radio-Taxi, përcjell “GazetaePrizrenit.net” .
Sa u përket atyre që operojnë në mënyrë ilegale, sipas zyrtarëve, mund të thuhet se numri i tyre sillet rreth 20, por gjithsesi ai ndryshon,
Zyrtarët komunal kanë pohuar se megjithatë krahasuar me vitet e mëparshme kanë arritur ta reduktojnë numrin e tyre, pasi supozohej se këtu operonin afro 600 sosh.
Sa i përket asaj se çfarë do të bëhet taksitë që veprojnë ilegalisht, zyrtarët prizrenas kanë thënë se po bëhen kontrolle të vazhdueshme për mënjanimin e tyre, të cilat organizohen në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, konfrom masave përkatëse ligjore. /GazetaePrizrenit.net/