Ky është personi i tretë i arrestuar për përleshjen mes shtatë të rinjve në Prizren
Një incident me armë zjarri ndodhi para dy netësh në parkingun e një pompe derivatesh te Tranziti i Ri në Prizren, ku mbetën të plagosur disa persona. Një grup prej shtatë të rinjve po dyshohen se janë të përfshirë, dy prej të cilëve kanë pësuar plagë.
Dy të dyshuarit që u plagosën janë Altin Hoxha dhe Arlind Hoxha, familjarë mes vete, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal në Prizren, ku po ruhen nga Policia.
Ndërsa, për rastin siç merr vesh Gazeta Sinjali është arrestuar edhe personi i tretë që është: Fidan Tabak, rreth 24-vjeçar.
Të dyshuarit e tjerë që janë arratisur janë në kërkim nga Policia.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur 15 gëzhoja, që janë sekuestruar, bashkë me një veturë që i përket njërit prej të dyshuarve.
Lidhur me rastin, janë kryer edhe bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar edhe tri armë zjarri dhe një veturë tjetër.
Lajmin dje e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren.Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata