Gjykata Kushtetuese ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të ri të Pagave në Sektorin Publik.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Gjykata Kushtetuese.
“Kategoritë e afektuara nga zbritja e nivelit të pagave, përfitojnë nga një periudhë tranzitore dy (2) vjeçare pas hyrjes në fuqi të ligjit, përkatësisht (i) gjatë vitit të parë, njëqind përqind (100%) të shtesës tranzitore dhe rrjedhimisht, përgjatë këtij viti nuk afektohen nga zbritja e nivelit të pagës; ndërsa, (ii) gjatë vitit të dytë, pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që nga të drejtat e periudhës tranzitore, janë përjashtuar (i) anëtarët e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilët për pasojë janë afektuar me zbritje të menjëhershme pagash përmes hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) të gjithë personat që janë punësuar në sektorin publik pas hyrjes së tij në fuqi” thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Aktvendimit, Ligji i kontestuar tashmë ka prodhuar efektet e tij tek kategoritë të cilave u është ngritur niveli i pagës, si dhe tek kategoritë që u është zbritur niveli i pagës e që nuk i janë nënshtruar mbrojtjes përmes periudhës tranzitore.
Gjykata Kushtetuse urdhëron Kuvendin e Kosovës që brenda 6 mujash nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit “të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”.
“Të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, që brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; (viii) deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, paragrafi 3 i nenit 2 (Fushëveprimi), paragrafi 2 i nenit 22 (Shtesat), paragrafi 5 i nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafi 8 i nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafi 7 i nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafi 4 i nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës), zbatohen në përputhje me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (ix) ky Aktgjykim hyn në fuqi më 1 shkurt 2024”, thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e Kushtetueses.