07-10-2024

Zvogëlimi i pagave të larta të zyrtarëve publikë, ç’parasheh Gjykata Kushtetuese për Ligjin e pagave?

Për këtë Ligj, Avokati i Popullit kishte pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.

Sot, është publikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë kërkesë, ku bëhet e ditur se gjykata ka rrëzuar disa nga nenet e Ligjit të Pagave, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës, e që u hartua nga Qeveria Kurti.

Kushtetuesja së pari ka sqaruar, se me këtë Aktjgykim nuk do të afektohen, të gjithë ata zyrtarë, të cilëve u është ngritur paga.

Ndërsa, ulja e pagave, për disa funksione, është konsideruar anti-kushtetuese. Kushtetuesja, i ka kërkuar Kuvendit që brenda 6 muajve, ta ndryshoj Ligjin.

Gjykata, në njoftimin për media, thotë se njëzëri ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë, njëzëri, që: “(i) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafin 5 të nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafin 4 të nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) paragrafi 2 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 3 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (v) paragrafi 4 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (vi) paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 (Shtesa tranzitore) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të Aktgjykimit; (vii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, që brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; (viii) deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, paragrafi 3 i nenit 2 (Fushëveprimi), paragrafi 2 i nenit 22 (Shtesat), paragrafi 5 i nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafi 8 i nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafi 7 i nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafi 4 i nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës), zbatohen në përputhje me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (ix) ky Aktgjykim hyn në fuqi më 1 shkurt 2024”.

“Aktgjykimi fillimisht sqaron që Ligji i kontestuar është publikuar në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, ndërsa ka hyrë në fuqi më 5 shkurt 2023. I njëjti është miratuar pasi ligji paraprak, përkatësisht Ligji nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, pas kërkesës së Avokatit të Popullit, ishte shpallur në kundërshtim me Kushtetutën përmes Aktgjykimit të Gjykatës KO219/19. Aktgjykimi, më tej, sqaron që Ligji i kontestuar, me qëllim të krijimit të një “sistemi të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik”, shfuqizon (i) Ligjin nr.03/L-147 për Pagat e Nëpunësve Civilë; (ii) dispozita të caktuara të ligjeve të veçanta ndërlidhur me institucione dhe agjenci të pavarura; si dhe (iii) çdo ligj dhe akt tjetër nënligjor që është në kundërshtim me përcaktimet e tij. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, i njëjti përmes Shtojcave përkatëse, kategorizon të gjithë funksionarët/zyrtarët dhe nëpunësit publikë që bien në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar, në pozita, grupe, klasa dhe koeficientë. Efekti i këtij kategorizimi në ndërlidhje me vlerën e koeficientit të përcaktuar përmes Ligjit nr.08/L-213 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023, ka rezultuar në ngritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese të zyrtarëve të sektorit publik dhe zbritje substanciale të nivelit të pagave të një pjese tjetër. Kategoritë e afektuara nga zbritja e nivelit të pagave, përfitojnë nga një periudhë tranzitore dy (2) vjeçare pas hyrjes në fuqi të ligjit, përkatësisht (i) gjatë vitit të parë, njëqind përqind (100%) të shtesës tranzitore dhe rrjedhimisht, përgjatë këtij viti nuk afektohen nga zbritja e nivelit të pagës; ndërsa, (ii) gjatë vitit të dytë, pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që nga të drejtat e periudhës tranzitore, janë përjashtuar (i) anëtarët e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilët për pasojë janë afektuar me zbritje të menjëhershme pagash përmes hyrjes në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) të gjithë personat që janë punësuar në sektorin publik pas hyrjes së tij në fuqi. Më tej, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Ligji i kontestuar gjithashtu (i) delegon përcaktimin e vlerës së koeficientit në një ligj tjetër, përkatësisht Ligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës; (ii) saktëson që zbritja e nivelit të pagës në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm në rast të dy rrethanave përjashtimore, përkatësisht një “tronditje makroekonomike” apo shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme; (iii) saktëson rregullat e përcaktimit të kategorive të shtesave dhe kompensimeve, përfshirë tavanet/kufijtë përkatës buxhetor, duke saktësuar gjithashtu që këto çështje rregullohen ekskluzivisht me këtë ligj dhe mund të rregullohen më tej vetëm me akte të tjera nënligjore; dhe (iv) përcakton kompetencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), për të miratuar, ndër tjerash, çështjet që ndërlidhen me strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve në institucionet publike të Republikës së Kosovës”.

“Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, Ligji i kontestuar tashmë ka prodhuar efektet e tij tek kategoritë të cilave u është ngritur niveli i pagës, si dhe tek kategoritë që u është zbritur niveli i pagës e që nuk i janë nënshtruar mbrojtjes përmes periudhës tranzitore, përkatësisht (i) për të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para të përvojës së punës, sepse lartësia e shtesës për përvojën e punës është përgjysmuar me hyrjen në fuqi të Ligjit të kontestuar; dhe (ii) shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili është përjashtuar nga e drejta në shtesë tranzitore. Me përfundimin e afatit një (1) vjeçar të periudhës/shtesës tranzitore, përkatësisht nga 5 shkurti 2024, me zbritje prej pesëdhjetë përqind (50%) të shtesës tranzitore, do të afektohen të gjithë funksionarët/zyrtarët/nëpunësit që hyjnë në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar dhe të cilëve u është zbritur niveli i pagës sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar”, thotë mes tjerash Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilin mund ta lexoni të plotë më poshtë:

Njoftim për vendim në rastin KO 79/23

Asnjë koment

Comments are closed.