Lajmi i mirë për mbi 9 mijë mësimdhënës të viteve të ’90-ta
9 mijë e 500 mësimdhënës të viteve të ’90-ta pritet gjatë këtij muaji të fillojnë të marrin pensione për punën, të cilën e kanë bërë përgjatë një dekade në sistemin paralel arsimor në Kosovë. Ky kompensim do të vlejë edhe për punëtorët teknikë, në rast se ata arrijnë ta dëshmojnë punën e tyre gjatë kësaj periudhe
Nga ky muaj pritet të dalin shtesat për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në vazhdimin e mësimdhënies për një dekadë me radhë. Ata me përkushtim kanë vazhduar punën në sistemin paralel dhe mësimi ishte zhvilluar në shtëpi-shkolla, pa marrë kompensim.
Nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) është thënë se numri i përfituesve të këtij sociali është 9 mijë e 500 persona, teksa sipas ligjit në fuqi përfitues të kësaj skeme sociale pritet të jenë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zëvendësdrejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip.