22-11-2024

Latifi: Gjendja e të prekurve me COVID-19 në Rahovec është stabile

Rahoveci është njëra prej komunave e cila së fundit është prekur me COVID-19, me gjithsej 16 raste, prej tyre dy infermierë të infektuar në vendin e tyre të punës, ndërsa 14 të tjerë janë raste kontakti kryesisht familjarë të dy infermierëve.

Pavarësisht kësaj, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, thotë se gjendja shëndetësore e të infektuarve është stabile.
“Gjendja shëndetësore e tyre paraqitet e mirë, nuk kanë simptoma edhe pse janë të konfirmuar me COVID-19. Janë 16. Dy infermierët që ishin në shërbim kanë marrë infeksione në vendin e tyre të punës, në repartin e hemodializës në Prizren, ndërsa 14 të cilët u konfirmuar mbrëmë, janë raste kontakti, kryesisht familjarë të dy infermierëve të infektuar më herët”, tha Latifi.

Në një intervistë për KP Latifi deklaroi se pacientët e konfirmuar pozitiv janë në vetizolim.

“Aktualisht ne jemi në gatishmëri, ekipet tona mjekësore janë duke i vizituar pacientët dhe kanë filluar që në mëngjese, tash po përpiqemi t’i hetojmë ose t’i marrim kontaktet eventuale që kanë mundur t’i kenë këto 14 rastet e reja që u konfirmuan mbrëmë. Të gjithë pacientët janë të vetizoluar dhe janë ndërmarrë të gjitha masat për izolimin e tyre, në mënyrë që të kemi mundësi për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të coronavirusit në Rahovec”, tha Latifi.

I pari i Rahovecit thotë se gjatë kësaj periudhe pandemie, rol të veçantë i kanë kushtuar edhe pjesës sociale. Ai thotë se të gjitha familjet në komunën që ai udhëheq, janë pajisur me pako ushqimore dhe higjienike.

“Nuk ka familje që ka nevojë, nuk ka rast social që nuk është trajtuar ose që nuk ka marrë pako ushqimore, higjienike dhe mbështetje tjetër për shkak të pandemisë. Ne kemi depozituar materiale të mjaftueshme, kemi mjaft pako dhe jemi duke hulumtuar çfarëdo kërkese apo nevoje që kanë qytetarët. Qendra për Punë Sociale bashkë me komisionet e themeluara për këtë çështje, do të shpërndajnë sipas rastit dhe nevojës edhe pako të tjera”, tha Latifi.

Ndër të tjerash, ai theksoi se janë të përkushtuar maksimalisht në parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke i ofruar shërbime të cilësisë së lartë të gjithë atyre që kanë nevojë, e posaçërisht rasteve të prekura me këtë sëmundje.

Asnjë koment

Comments are closed.