LDK-ja rendit shtatë shkelje të Kushtetutës nga Qeveria dhe Kuvendi
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se në ditën e Kushtetutës po kujtojnë shtatë shkeljet e Kushtetutës nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, si dhe nga Kuvendi i Kosovës.
Shkeljen e parë e kanë renditur atë të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nga ministrja Albulena Haxhiu.
Shkelje kushtetuese e kanë cilësuar edhe ndërhyrjen në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim nga ministrja Arbërie Nagavci.
Sipas LDK-së, ministri Xhelal Sveçla ka bërë dy shkelje kushtetuese. Bëhet fjalë për Ligjin për Paga dhe Ligjin për zyrtarë publikë.
Ndërkaq ministrja Rozeta Hajdari sipas tyre ka shkelur Kushtetutën me Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.
Ndërsa shkarkimi i 8 anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe shkarkimi i 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sipas LDK-së janë dy shkeljet kushtetuese të bëra nga Kuvendi i Kosovës. /Express/