27-11-2024

LDK kundërpërgjigjet: Haskuka i nervozuar me partinë e tij, Vetëvendosjen

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka hedhur akuza në drejtim të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, duke dajësuar kuvendarë e tyre.  “Si kanë fytyrë këta të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të flasin për Prizrenin”, ka thënë ai në një videomesazh.

Në anën tjetër përmes një komunikate për media, dega e LDK-së në Prizren i ka reaguar Haskukës, për siç thuhet sulme mediale ndaj grupeve të kuvendarëve.

Komunikata e plotë

Si rezultat i dështimit total në qeverisje, Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i nervozuar me vështirësitë dhe pengesat që i janë vënë brenda partisë për ta fituar të drejtën e rikandidimit, ka kapur shkopin e po i fishkëllon gjithkujt që po i bie në mend.

Pas sulmit që i bëri shoqërisë civile, tash shigjetat i ka drejtuar mbi grupet e kuvendarëve opozitarë.

Reagimet e tij histerike më as nuk mund ti merr kush seriozisht, prandaj ne, LDK-ja me kandidatin për kryetar, Anton Quni, të qetë po e shikojmë krijimin e situatës kaotike në pushtetin lokal dhe në partinë që është në pushtet, ndërkaq me akuzat e paqena e të pabaza, as që kemi kohë të merremi.

Kandidati ynë Anton Quni, me një ekip të gjerë profesionistësh, burra e gra, djem e vajza të reja entuziastë e kreativ, do të jetë çdo ditë në teren për të takuar qytetarët e komunës së Prizrenit, për t’i njoftuar me program-platformën tonë, si dhe për të bashkëbiseduar e inkorporuar kërkesat e nevojat e tyre në këtë platformë, e cila do të jetë më e mira në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte.

Ne po bëhemi gati që me mbështetjen e qytetarëve t’ua marrim drejtimin e komunës, sepse Prizreni dhe prizrenasit mezi po presin me i dhënë fund këtij cirku katërvjeçar.

Prizreni nuk e ka merituar një qeverisje të tillë dembele, jokreative e të paaftë që nuk punon asgjë dhe që për dështimet e veta shikon e tenton ta gjej fajtorin diku tjeter.

Sipas, Haskukes, gjithkush dhe gjithçka ishte dhe është kundër tij, por asesi ai dhe bashkëpunëtorët e tij të korruptuar e hajna që përveç vjedhjes, gjë tjetër nuk kanë sjellë në dritë.

Ky pushtet do të ikë i turpëruar e do të mbahet në mend për qeverisjen e dështuar e të korruptuar dhe më dembelën që nga paslufta.

Asnjë koment

Comments are closed.