LDK: Në zgjedhje shkojmë vetë, Vetëvendosjen e shohim si partner të mundshëm në Qeveri
Që nga rënia e qeverisë, dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë shenja të dukshme se ekziston disponim për një koalicion mes këtyre dy partive. Pak ditë pasi që LDK’ja e zgjodhi kryetarin e saj, Isa Mustafën, u bë takimi i tij me liderin e partisë tjetër opozitare, Albin Kurtin. Të dy shprehën qëndrime se një koalicion mes këtyre dy partive do të krijonte një qeveri e cila do ta udhëhiqte vendin në të ardhmen, shkruan ‘Gazeta Express’.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po pret festë në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Por që kjo të ndodhë, kreu i VV’së duhet ta realizojë një mision. Koalicionin me partinë e Isa Mustafës, pra LDK’në.
Ftesë publike për koalicion me LDK’në janë duke bërë vazhdimisht zyrtarë të Vetëvendosjes. I fundit është kreu i kësaj partie, Albin Kurti. Ai deklaroi se arritja e një koalicioni në mes LDK-së dhe VV, zgjedhjet do t’i shndërronte në festë.
Sipas tij, përkundër dallimeve, koalicioni mes LDK-së dhe VV-së, do ta nxjerrtë nga kriza Kosovën.
“Kemi dallime nga e kaluara me LDK-në , kemi probleme, por ne duhet të përqendrohemi tek e ardhmja”, tha Kurti për RTV Besa në Prizren.
Por zyrtarë të LDK’së po shprehen se koalicioni me partinë e Kurtit varet krejtësisht nga vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Sfarqa ka thënë ndër tjera se e sheh Vetëvendosjen si të vetmin partner për qeverisje, por që sipas tij më mirë do të ishte fillimisht të maten forcat në zgjedhje pa ndonjë koalicion parazgjedhor.
E sa i përket komenteve të Kurtit, se dita e zgjedhjeve do të jetë ditë feste, Sfarqa tha se i vlerëson gjitha përpjekjet e partive që kanë prirje pozitive. Por, sipas tij, vendimi për koalicion të mundshëm nuk i takon ndonjë personi por i takon organeve legjitime të partisë.
“…megjithatë nuk mund të parashikoj se cilat do të jenë vendimet e LDK’së për shkak se janë organet legjitime që do të merren me këto çështje, që është Këshilli i Përgjithshëm” tha ai.
Megjithatë, Sfarqa shfaqet optimist duke thënë se vendimet e këtij organi partiak krijohet në drejtimin e tillë që të ndryshohet qeverisja në Kosovë.
“Nuk mund të flas se cilat do të jenë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm, por do të jenë në harmoni me frymën që po krijohet, pra për ndryshime në pushtet” tha ish kryetari i Ferizajit nga radhët e LDK’së.
Sfarqa në anën tjetër, mendon se zgjidhja për zgjedhje më të mira do të ishte që partitë të maten të vetme në zgjedhje dhe të mos futen në koalicion, në mënyrë që ketë një pasqyrë të qartë se cila parti sa fuqi ka.
“Por megjithatë unë jam ithtar i asaj që sipas orientimeve që ka LDK’ja që ta masim fuqinë politike të secilës parti politike në raundin e parë, në mënyrë që të shohin se cila është fuqia reale politike e secilës parti” tha Sfarqa duke theksuar se “po mendoj për partitë e mëdha”.
Gjithsesi, Sfarqa nuk sheh ndonjë partner tjetër të mundshëm pos Vetëvendosjes.
“Ne realisht nuk kemi partner tjetër” tha Sfarqa, duke e arsyetuar këtë me qëndrimin jo korrekt të partnerëve të mëhershëm që kanë qenë në koalicion me LDK’në.
LDK’ja dhe VV’ja janë dy partitë më të mëdha opozitare. Gjatë qeverisjes së koalicionit PAN, të dyja këto parti kishin arritur që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe tani liderët e të dyja partive janë shprehur pozitivisht rreth një koalicioni, qoftë ai parazgjedhor apo paszgjedhor. /GazetaExpress