Libri i Gëzim Ajgerajt “Vlerësime kritike” vlerësohet si udhëtim shumëdimensional
Recensentët e kanë vlerësuar lartë librin e sapobotuar “Vlerësime kritike”, të autorit nga Prizrenit, Gëzim Ajgeraj, që prej 30 vjetësh jeton në Zvicër. Libri është botuar nga shtëpia botuese „Ymer Prizreni“ në Prizren.
Recensentja, Lola Shehi nga Tirana e ka vlerësuar librin, si një udhëtim shumëdimensional, me shkrimtarë të trevave shqipfolëse. “Ajo që vura re gjatë leximit, ishte fakti se autori ka ditur të bëjë edhe një përzgjedhje të admirueshme të autorëve dhe veprave letrare”, shkruan ajo, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
Shehi më tej thekson se në këtë libër, përfshihen vlerësime dhe kritika të një numri të konsiderueshëm shkrimtarësh. “Pa hezitim, do ta quaja një antologji opinionesh. I ka trajtuar analizat e veprave të tyre, duke nxjerrë esencialen për stilin e secilit autor, pa rënë në përgjithësime apo përsëritje, pasi duke pasur parasysh numrin e autorëve e të botimeve të përfshirë në këtë libër, të mos rrezikosh përgjithësimin apo përsëritjen e vetvetes, më duket një mision i pamundur”, shkruan ajo.
Shehi më tej shprehet se dikush edhe mund të jetë edhe kritik për mënyrën apo vërtetësinë e shkrimit të historisë. “I qëndroj faktit, se diçka është gjithmonë më shumë se asgjë. Do ta krahasoja me atë kështjellën me themele të forta, që herë pas here ka nevojë për restaurim, por ama, është një ndërtesë që u flet brezave”.
Ndërkaq, recensenti tjetër, Bedri Halimi ka vlerësuar se libra të kësaj natyre studimore dhe qasjeve letrare si “Vlerësime kritike”, i Gëzim Ajgeraj, në këto dekadat e fundit, sikur mungojnë shumë. “Asnjëherë nuk guxojmë të mendojmë e të pajtohemi se kritika ka heshtur apo nuk mungon qasja rreth saj. Pikërisht ky libër na bën të kujtojmë se librat dhe qasja kritike, sado rrallë që vjen, ajo qëndron në vazhdimësi afër librit”, ka thënë ai.
Halimi ka vlerësuar se autori Ajgeraj, karshi librit mban një qasje universale në raport me etninë, dhe asnjëherë nuk bie nën ndikimin e rrethanave, problemeve dhe zhvillimeve të tjera që e përcjellin letërsinë. “Zaten ky është tabani dhe motoja e autorit, se: letërsia i detyrohet kombit dhe është bartëse e drejtuese e të gjitha zhvillimeve që ndodhin brenda tij”.
Në këtë kontekst vlerësohet se Ajgeraj për më shumë se tri dekada, ndjek nga afër krijimtarinë në mërgatë të disa krijuesve si: Mustafë Xhemajli, Brahim Avdyli, e tjerë krijues në Zvicër, Gjermani, etj. Ai po ashtu ka shkruar edhe për krijimet e disa autorëve në Shqipëri, Maqedoni e gjetiu, ndërsa një qasje që e ndjek me shumë seriozitet janë edhe krijuesit lokal të qytetit prej nga vjen autori.
Halimi ka thënë se kjo qasje sikur i vihet detyrimisht, sepse vlerësimet për librat e krijuesve të kësaj ane, duket sikur domosdoshmërisht i krijuan këtë komoditet që të merret më tepër me to. “Dallojmë këtu krijuesit prizrenas si: Nexhat Çoçaj, Ilam Berisha, Qazim Thaçi, Orhan Gashi, Xhyhere Maqkaj, etj, apo siç është edhe qasja ndaj disa numrave të revistës për fëmijë; Fidani, të edituar nga Berat Batiu, etj ”.
Ndryshe, shkrimtari Ajgeraj deri tash ka botuar 115 botime të zhanreve të ndryshme. Boton revistat “Metafora” (16 vite rresht), Vrrini , (4 vite), ndërsa ka përkthime në gjermanisht; rumanishte, anglishte, italishte e spanjishte.
Ajgeraj është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve zviceran dhe asaj të Kosovës (LSHK). Po ashtu është anëtar i shumë asociacioneve e shoqatave, si dhe grupeve te ndryshme Bottom of Form letrare.