23-11-2024

Liria “përplas” ish zyrtar dhe zyrtar aktual të Komunës së Prizrenit

Liria  e Prizrenit që edicionin e kaluar e mbylli në pozitën e 5 të tabelës, në këtë sezon startoi me humbje.  Rezultatet e dobëta në dy ndeshjet e para të kampionatit të  futbollit, ku humbi madje edhe si vendës kanë nxitur reagime të ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktual të komunës, të cilët kanë replikuar në distancë në internet.

Në fakt pas humbjes dje, të Lirisë në Ferizaj ka reaguar ish-drejtori i Urbanizmit,  Visar Islamaj,  ndërsa më pas, gjatë orëve të mbrëmjes ka ndërhyrë edhe kryesuesi i Kuvendit (KK) të Komunës,  Artan Abrashi, të cilët kanë debatuar në facebook.

Islamaj ka kërkuar llogari dhe përgjegjësi për rezultatet e deritashme të Lirisë,  madje duke e ftuar Abrashin që mbaj mbledhje të KK-së, “për të debatuar menaxhimin e keq që po i bëhet klubit”.

“Myto, apo bindesh se te ka ra kogja poshte qeverisja (nese mund ta quajmë qeverisje), apo ndoshta duhet me u qu qytetaria me te nxjerr nga aty ku je për ta evitu keq qeverisjen…” ka shkruar ai në profilin e tij.

Në anën tjetër, Abrashi ia ka kthyer duke i thënë se është herët për përgjegjësi të kryesisë së Lirisë, derisa ka premtuar një kërkim llogarie për çdo cent të Komunës, që ka shkuar për Lirinë.

“Faleminderit për sugjerim Visar. Bile ne mbledhjen ku do te debatohet, si Kuvend do te kërkojmë raportin e detajuar financiar prej mandatit te kaluar, deri ne ditët e sotme…”, ka shkruar ai në faqen e facebookut.

Debati ka shkuar më tej. Islamaj ndër tjera ia kujtuar  Abrashit se  “tuj e shiku te kaluaren po e shkaterroni te ardhmen, mos harro 6 pike i humbi KF Liria, javen qe vjen e ka me KF Drita, ishalla e mban rezultatin”.

Abrashi  ka thënë se kaluara e tashmja dhe e ardhmja do të vlerësohen mbi vendimin e Kuvendit për mbështetje financiare.

Me këtë rast janë përmendur edhe investimet e bëra nga ana e komunës në klubin Liria, derisa Abrashi ka përmendur edhe llogaridhënien për mjetet e shpenzuara më parë, ndërsa Islamaj ka thënë se “me keqmenaxhimin e parasë merren organet e drejtësisë”.

Ndër të tjera në replikën e tyre në distancë, Islamaj ka thënë se peformacën e klubit e bene menaxhimi  dhe se “kjo po i bjen se te emëruarit politik të klubit nuk keni fuqi me i largu, e në këtë rast e keni gjetë formen me te mire me u fsheh prapa se kaluarës, pas një kohe mbrapa kuj do te mshefeni…Shkarkone kryetarin e klubit dhe zgjedhne dikënd që e don klubin ose është rrit në klub, ka shume të tillë ta garantoj…” ka shkruar ai.

Ndërkaq, duket se dabatin e ka përcjellë edhe kryetari i klubit të Lirisë, Ilijaz Ilijazi. Ndonëse ai nuk është parë të “futet” në mes tyre,  por në profilin e tij të facebookut, në kontekstin e asaj që po zhvillohej ka kujtuar një thënie të shkrimtarit Mark Tuein: “Zhurma nuk provon asgjë. Shpesh një pulë që ka bërë thjesht një vezë, kakarit sikur ka bërë një asteroid”.

Pos,  Islamajt të PDK-së, ndërkaq startin e dobët të Lirisë, por edhe gjendjen në klub e ka kritikuar edhe shefi i Grupit të asambleistëve të AAK-së në opozitë, Ilir Baldedaj.

Ai ka shkruar se “informacionet më të reja flasin për shkapërderdhje të skuadrës. Tre trajnerë janë larguar. Në Liri kanë dërguar militantë të subjekteve të koalicionit dhe po u japin rroga, ndërsa trajnerët po i diskriminojnë. Liria nuk është e partive politike, është e qytetit dhe e qytetarëve të  Prizrenit, është e sportistëve, e atyre që kanë dhënë djersë e mund në këtë skuadër”, ka shkruar Baldedaj.

Ndryshe, Liria në ndeshjen e  parë të këtij sezoni si vendëse humbi nga Ballkani i Suharekës, që ishte kthyer në këtë ligë pas 8 vjetësh. Rezultatin e humbjes 1 me 0 e reprizoi edhe në Ferizaj si mysafire, kur mori gol po ashtu në minutat e fundit të ndeshjes. Këtë javë është nikoqire e Dritës, që konsiderohet favorite./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.