24-11-2024

Lirohen nga akuza të akuzuarit për keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Abdyl Buja, Mentor Ismajli, Alban Azemi dhe Rizah Azemi, të cilët akuzoheshin se kanë bërë keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarve u shpall të enjten, nga gjykatësi Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të pandehurit Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli lirohen nga akuza për veprën penale “Marrje e ryshfetit ”, ndërsa të akuzuarit Abdyl Buja, Rizah Azemi dhe Alban Azemi lirohen nga akuza për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Sipas aktgjykimit të akuzuarit janë liruar nga akuza për veprat e lartcekura  pasi që nuk është provuar se kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkoheshin.

Ndërkaq, është refuzuar akuza ndaj Abdyl Bujës për veprën penale “Marrje ryshfeti në ndihmë”, ndaj Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli për veprën penale “Bashkëkryerje në shtytje” me veprën penale “Marrje të Ryshfetit”.

Po ashtu është refuzuar akuza ndaj të akuzuarit  Feti Ismajli për veprën penale “Marrje Ryshfeti”, e arsyetimin se ka arritur parashtrimin absolut të ndjekjes penale.

Shpenzimet e procedurës bien mbi buxhetin e kësaj gjykate, ndërsa palët e pakënaqura ndaj këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe në seancën e 24 marsit 2022, gjykatësi Alban Ajvazi ka njoftuar palët se për dy pika të aktakuzës ku të akuzuar janë Abdyl Buja, Mentor Ismajli dhe Feti Ismajli, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

“Ju njoftoj se për dispozitivin 2, pika 2, ku të akuzuar janë Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli si dhe dispozitivin 6 të aktakuzës ku i akuzuar është Feti Ismajli, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, kishte thënë gjykatësi Ajvazi.

Kjo çështje në fillim ishte gjykuar nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, por pas kthimit të saj në Gjykatën Themelore në Pejë, lënda i ishte ndarë gjyqtarit Alban Ajvazi.

Më 26 tetor 2019, gjykatësja Kuka-Mekaj kishte njoftuar se gjykata ka marrë aktvendim që të hudhet pjesërisht aktakuza në raport me veprat penale në dispozitivët 4, 5, 7, 8 dhe 9 të aktit akuzues.

Ky vendim është marrë nga gjykata pasi ka konstatuar se është arritur parashkrimi relativ para se të merrej aktvendimi për fillim të hetimeve nga ana e prokurorisë. Me anë të këtij aktvendimi, është pushuar procedura penale ndaj Albisjan dhe Muhib Fazliu, Rajmonda Borovcit, Granit Ismajlit dhe Hyrije Koraqit.

Ata akuzoheshin për dhënie të ryshfetit, ndërsa, Albisjan Fazliu, përveç veprës penale të dhënies së ryshfetit, akuzohej edhe për falsifikim të dokumentit.

Sipas aktit akuzues të ngritur më 31 maj 2018, Abdyl Buja thuhet se me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do t’i fsheh provat e veprës së kryer penale.

Sipas aktakuzës, ai duke qenë i vetëdijshëm për qëllimin e takimit me Albisjan Fazliun dhe Feti Ismajlin, në kafenenë “Rozafa” në Lipjan me dëshirë që pas dështimit të të pandehurit Albisjan Fazliu për ta kaluar provimin pranues në Degën e Stomatologjisë së Fakultetit të Mjekësisë në UP në Prishtinë, ta regjistrojë të njëjtin në këtë degë.

Këtë thuhet se ka arritur ta bëjë duke ia lëshuar vërtetimin nga administrata qendrore e UP-së si student në vitin 2011/12, e më pas thuhet se është formuar dosja me 001469/1 dhe Indexi me numrin e njëjtë, për çka i pandehuri ka marrë shumën prej 3 mijë euro në shtëpinë e vet nga i pandehuri Feti Ismajli.

Këto para thuhet se i ka marrë për t’ia dërguar të pandehurit Muhib Fazliu, kinse për t’ia dorëzuar zyrtarit të Fakultetit të Mjekësisë, e pastaj e ka këshilluar të pandehurin Albisjan Fazliu që ta plotësojë formularin për të hyrë në provimin Fizikë Mjekësore me Biofizikë të profesori Ymer Halimi duke e dorëzuar personalisht formularin të zyrtari i autorizuar me dëshirë për t’i marrë 700 euro.

Mirëpo, thuhet se Albisjan Fazliu ia kishte dhënë 300 euro në shtëpinë e vet kinse se ia kishte kërkuar ky profesor, ndërsa 400 tjera janë pajtuar të dorëzohen pasi ato të sigurohen, por provimin nuk e kaluar.

Sipas aktakuzës, më pas ka filluar t’i ndjek ligjëratat dhe ushtrimet, e pastaj ka plotësuar 11 rubrika destinuar për shënimet e provimeve në Index, ku janë kërkuar të dhënat përkitazi më lëndën e provimit, notën e vlerësuar, datën e provimit dhe nënshkrimin e profesorit.

Sipas akuzës, i akuzuari Buja në vazhdim ka kryer veprën penale marrje ryshfetit në ndihmë.

Sipas akuzës, ai me dashje ka kërkuar përfitim nga Albisjan Fazliu për vete dhe një zyrtar të panjohur për një veprim që nuk është dashur ta kryejë. Ai thuhet se ka kërkuar 12 mijë euro nga Fazliu me dëshirë që të përfitojë materialisht duke e këshilluar se do t’ia lëshojë diplomën e kryerjes së fakultetit.

Tutje, thuhet se në nëntor të vitit 2013, në restorantin “Pauna” në Lipjan, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë kërkuar dhe marrë nga e pandehura Rajmonda Borovci shumën prej 5 mijë euro për ta regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në UP gjatë vitit 2012/2013, duke i premtuar se përmes autoritetit të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja, do t’i nxitin personat zyrtarë të këtij fakultetit të paidentifikuar që e njëjta të regjistrohet në fakultet.

Gjithashtu, thuhet se në shkurt të vitit 2012, në picerinë “Extreme” në Prishtinë së bashku, me dashje, Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli, kanë nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që t’ua japë shumën prej 2 mijë euro.

Këtë thuhet se e kanë bërë duke e bindur se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale, nga kontrata si asistente e angazhuar e Kimisë Analitike në asistente të rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.

Me këto veprime, akuzohej se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale shtytje për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Abdyl Buja, Rizah Azemi dhe Alban Azemi, thuhet se me dashje kanë tentuar t’i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë përmes dokumentit të falsifikuar.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që në shkurt të vitit 2014, të pandehurit Abdyl Buja dhe Rizah Azemi me vetëdije e kanë dërguar Indexin e të pandehurit Alban Azemi te profesori i lëndës Biokomia e Përgjithshme, Luljeta Begolli kinse për ta verifikuar vizualisht nëse nota 6 dhe nënshkrimi janë të saja.

Këtë thuhet se e kanë bërë me dëshirë që pas disa vitesh dështimi, Alban Azemi ta kalojë provimin edhe pse e kanë ditur që Azemi nuk e ka kaluar provimin në bazë të rezultateve të shpallura në afatin e janarit të vitit 2014. Pastaj, thuhet Rizah e Alban Azemi kanë shkuar të Zyrtarja e Lartë për Studime Themelore në Fakultetin e Mjekësisë, Syzana Zejnullahu dhe kanë kërkuar prej saj Index duplikant me pretekst se gjoja indexi origjinal është humbur për çka kundër të pandehurit Alban Azemi është iniciuar procedura disiplinore.

Për këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme në tentativë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Alban dhe Muhib Fazliu, në tetor 2011, sipas marrëveshjes paraprake, Muhib Fazliu i ka dhënë 3 mijë euro të pandehurit Aldyl Buja si ndërmjetësues kinse për t’ia dhënë personave të caktuar zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë. Për rrjedhojë, thuhet se i pandehuri Albisjan Fazliu më 5 tetor 2011 është regjistruar në vitin akademik 2011/12 duke fituar statusin e studentit të rregullt në këtë fakultet në Degën e Stomatologjisë, për çka i është lëshuar indexi dhe është formuar dosja e tij.

Më 30 nëntor 2012, thuhet se i njëjti ka arritur ta regjistrojë semestrin dhe ndonëse emri i të njëjtit nuk ka figuruar fare në evidencat e profesorëve të lëndëve përkatëse dhe rrjedhimisht nuk i ka dhënë 7 provime.

Me këtë, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

Albisjan Fazliu, akuzohet se në janar të vitit 2012, në një lokal në aftësi të rrethit kryesor të Spitalit në Prishtinë, prej 700 euro të kërkuar nga i pandehuri Adbyl Buja për të ndërmjetësuar te profesor Ymer Halimi që ta kalojë provimin nga lënda Fizikë mjekësore dhe Biofizikë ia ka dhënë 300 euro. Kurse, 400 euro thuhet se i ka mbetur borxh.

Këtë provim, thuhet se sipas konfirmimit të doktor Ymer Halimit, i njëjti nuk e ka dhënë.

Ai akuzohet se ka ndryshuar dokumentin publik origjinal dhe të falsifikuar e ka përdorur me vetëdije nga 5 tetori 2011 kur është regjistruar në fakultet. Në aktin akuzues thuhet se me Indexin nga pika I e dispozitivit i ka regjistruar dhe vërtetuar semestrat me radhë deri në semestrin e III të këtij viti akademik 2012/13 të cilin e kishte regjistruar më 30 nëntor 2012. Ndërsa, thuhet se më 23 tetor 2012, kishte shkuar te zyrtarja Syzana Zejnullahu duke shprehur që Indexi i tij të shpallet duplikant me arsyetimin se ishte dëmtuar përmes plotësimit të shënimeve të rrejshme të provimeve.

Me këtë veprim akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

Sipas aktakuzës, Feti Ismajli thuhet se i ka mundësuar regjistrimin në vitin e parë të studimeve, të pandehurit Albisjan Fazliu në vitin akademik 2011/12, në Fakultetin e Mjekësisë – Dega Stomatologji në Prishtinë. Një gjë të tillë sipas prokurorisë, e kishte bërë pasi që fillimisht kishte vënë në kontakt me Albisjanin dhe babin e tij, Muhib Fazliu, duke i ndihmuar Abdyl Bujës përfitim material, i cili i kishte marrë tre mijë euro nga Muhib Fazliu dhe ia kishte dërguar të akuzuarit Buja, kinse për t’ua dhënë zyrtarëve të këtij Fakulteti.

Më çka, sipas aktakuzës, kishte kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

Rajmonda Borovci, thuhet se i ka premtuar tërthorazi të pandehurit Abdyl Buja, për t’ia dhënë 5 mijë euro që të ndërmjetësojë te zyrtarët e caktuar të Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, me qëllim të transferimit të saj prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, i cili transfer kishte dështuar meqë ka qenë në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore.

Shuma prej 5 mijë euro, sipas aktakuzës i është dorëzuar nga i pandehuri Granit Ismajli te i pandehuri Abdyl Buja.

Me çka, sipas prokurorisë, e akuzuara Borovci ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Granit Ismajli thuhet se në mënyrë të tërthortë i ka dhënë ryshfet personit të caktuar ashtu që gjatë nëntorit 2013, kur i pandehuri Abdyl Buja, përmes telefonit i ka kërkuar 5 mijë euro duke i premtuar që të kryejë transferimin e Rajmondës prej degës së Infermierisë në degën e Farmacisë, përmes zyrtarëve të caktuar të këtij fakultetit, 5 mijë euro ia ka dorëzuar Granit Ismajli, babai i Rajmondës, Kamer Borovci.

Në të njëjtën ditë, Ismajli në restorantin “Pauna” në Lipjan, thuhet se ia ka dorëzuar 5 mijë euro të pandehurit Abdyl Buja për realizmin e premtimit të dhënë, mirëpo pasi ky ka dështuar së realizuari premtimin kurse paratë nuk ia ka kthyer, Ismajli është detyruar që të huazojë 5 mijë euro të cilat pastaj ia ka kthyer Kamer Borovcit.

Me këtë rast, sipas prokurorisë, Ismajli së bashku me Hyrje Koraqin thuhet se kanë kryer veprën penale “dhënia e ryshfetit”.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Koraqi e kishte bërë pas largimit nga puna si asistente në Fakultetin e Mjekësisë, ashtu që, në shkurt të vitit 2012, në lokalin “Rangonë” në Prishtinë, ia ka dhënë tërthorazi Abdyl Bujës përmes Mentor Ismajlit 1 mijë euro, për ish-rektorin e UP-së, Mujë Rugova, dekanin e FSHMN-së, Tahir Arbneshi dhe profesor Naser Mrasorin.

Pas kësaj, sipas prokurorisë, Koraqi kishte filluar punën sipas kontratës për semestrin 1 prej 1 tetorit 2011 deri më 15 shkurt 2012 e pas kërkesave të vazhdueshme për t’ju dhënë prej 4 mijë deri në 20 mijë euro, Koraqi sipas aktakuzës, ua kishte dhënë 1 mijë euro të pandehurve Abdyl Buja dhe Mentor Ismajli në picerisë “Extreme”, në Prishtinë.

Pasi që ishin larguar nga piceria, në oborrin e Fakultetit të Mjekësisë, Koraqi thuhet se ia kishte dhënë të pandehurit Ismajli edhe 1 mijë euro.

Tutje, sipas aktakuzës, më 7 mars 2012, i pandehuri Ismajli i kishte thënë Koraqit se nuk është bërë kontrata sepse nuk ka kryer pagesën për lidhjen e kontratës dhe për pasojë Koraqi nuk ka punuar deri në shtator 2012 kur është ri pranuar për asistente e angazhuar por jo e rregullt. Në shtator 2013, i pandehuri Buja ia kishte kthyer 2 mijë euro Koraqit, por të cilat ia kishte marrë nga dora i pandehuri Ismajli kinse për të verifikuar origjinalitetin, e pastaj ia ka kthyer 1 mijë e 500 euro Koraqit, ndërsa 300 i ka ndalë për vete e 200 i ka ndarë për Bujën. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.