18-05-2024

Prizren: Paditësi pretendon se ShSKUK përzgjodhi kundërligjshëm drejtoreshën e Spitalit, e paditura kërkon refuzimin e padisë

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, në kontestin civil ndërmjet paditësit L.G dhe të paditurës Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), e paditura ShSKUK ka kërkuar refuzimin e padisë si të pabazuar.

Në këtë rast, paditësi L.G., pretendon se kandidatja Narqize Arënliu– Hoxhaj, e përzgjedhur për pozitën drejtoreshe e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren “Primarius Dr.Daut Mustafa” në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës- ShSKUK, nuk i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë.

I autorizuari i ShSKUK-së, Dibran Zogaj i ka propozuar gjykatës që të refuzojë kërkesëpadinë e palës paditëse, pasi që sipas tij në provat dhe faktet e ofruara nuk është arsyetuar padia dhe kërkespadia e ngritur ndaj tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zogaj ka thënë se konkursi i shpallur ka qenë i bazuar në dispozita ligjore dhe se nuk ka pasur asnjë vërejtje nga pala paditëse.

“Në faqen 2 të padisë, paditësi i është referuar nenit 17 të statutit të Spitalit të Përgjithshëm në Prizren dhe kritereve që dalin nga kjo dispozitë. E paditura në kuptim të kësaj që u tha deklaron se konkursi i shpallur është i bazuar në ligjin e zyrtarëve publikë dhe statutit të ShSKUK-së gjë që nuk ka pasur kurrfarë vërejtje nga palët konkurrent e as  nga pala paditëse”, ka thënë Zogaj.

Tutje, ai shtoi se në ShSKUK nuk ka pozitë të kryeshefit siç pretendon pala paditëse në padinë e tyre, andaj sipas tij pala paditëse përmes provave duhet të dëshmojë të kundërtën.

Ndërsa, përfaqësuesi i autorizuar i paditësit L.G, avokati Sylë Hoxha ka thënë se gjatë përpilimit të padisë është përvjedhur një gabim dhe në faqen 2, në bazë të nenit 17, gabimisht është konstatuar statuti i spitalit të përgjithshëm, e që duhet të jetë neni 18 i statutit të ShSKUK-së.

Po ashtu, ai tha se në padi kur është konstatuar kryeshef i sektorit për monitorim duhet të jetë shef i sektorit për monitorim, dhe se ku është konstatuar 5 vite ka pasur post si udhëheqës, duhet të jetë 3 vite sipas kontratës së punës.

Hoxha ka kërkuar nga gjykata ndërprerjen e seancës së sotme, me qëllim të përmirësimit të gabimeve që janë bërë në provat e propozuara.

Këtë propozim të avokatit, e ka kundërshtuar Zogaj me arsyetimin se çështja është në fazën e shqyrimit kryesor.

Pas kësaj, gjykatësi i rastit, Shyqri Hoxha ka aprovuar kërkesën e avokatit Hoxha, kurse seanca e radhës është caktuar të mbahet më 23 janar 2023.

Ndryshe, me padinë e parashtruar më 29 qershor 2022, paditësi L.G, ka kërkuar anulimin e konkursit publik të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Në padi thuhet se e paditura ka shpallur konkursin publik me numër protokoli 674, të datës 7 mars 2022 për pozitën drejtor i Spitalit të Përgjithshëm “Primarius Dr.Daut Mustafa” në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës- ShSKUK. Pas procedurës së konkurimit. me njoftimin me numër protokoli 1518, të datës 1 qershor 2022 për pozitën drejtor është përzgjedhur kandidatja Narqize Arënliu– Hoxhaj.

Sipas padisë, në rastin konkret e përzgjedhura nga komisioni përzgjedhës si kandidate fituese Narqize Arënliu- Hoxhaj nuk ka plotësuar këtë kriter, ngase nuk ka punuar në kuadër të ShSKUK-së, por ka punuar në sektorin privat si stomatologe, andaj në këtë drejtim vendimi i komisionit përzgjedhës është i kundërligjshëm

Tutje, në padi thuhet se paditësi i cili ka konkuruar në këtë konkurs i plotëson të gjitha këto kushte, të cilat fakte vërtetohen nga kontrata e punës, ku i njëjti ka qenë kryeshef i sektorit për monitorim dhe vlerësim të cilësisë së punës në ShSKUK.

Në fund, padia thotë se kandidati i vlerësuar nga komisioni i pranimit duhet të kalojë pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, që në rastin konkret paditësi ka kaluar këtë prag pasi që ka pasur 75 pikë, mirëpo edhe përkundër faktit se paditësi ka plotësuar kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme, nuk dihet se cili ka qenë vlerësimi profesional i komisionit që përfshinë vlerësimin e njohurive, aftësive dhe cilësive profesionale të kandidatëve siç parashihet në nenin 40, par.5, pika 5.2 të Ligjit për Zyrtarë Publikë. /BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.