Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit sot mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme, në të cilën u shqyrtuan tri çështje të parapara në rend dite.
Në pikën e parë të rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për lirimin nga pagesa e qirasë dhe taksave për bizneset në Komunën e Prizrenit për periudhën gjashtë (6) mujore (mars-gusht 2020) për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Kjo pikë u përkrahë nga të gjithë kuvendarët prezentë dhe u votua unanimisht, sikurse edhe pika e dytë e rendit të ditë, e cila ishte për shqyrtimin dhe miratimin e memorandumit për mbështetje financiare për strehimoren e grave dhe fëmijëve.
Në pikën e tretë dhe të fundit të kësaj mbledhjeje u bë shqyrtimi dhe miratimi i Planit komunal të veprimit për efiçiencë të energjisë (PKVEE) 2019-2021. Prezantimi i këtij dokumenti u bë nga zyrtari i lartë për energjetikë në Komunën e Prizrenit, Gëzim Gërgi, ndërsa më pas me 32 vota për, 3 kundër dhe 1 abstenim, dokumenti u miratua me shumicën e votave të kuvendarëve.
Krejt në fund, fjalën e mori kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili dha informacione lidhur me fatkeqësitë natyrore si vërshimet dhe breshëri që kanë shkaktuar dëme të shumta tek banorët e komunës së Prizrenit.
Kryetari Haskuka lidhur me këtë çështje tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është formuar komisioni i përbashkët, i cili tashmë ka përfunduar punën lidhur me evidentimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga këto fatkeqësi, për të cilat do të bëhet kompensimi nga ana e Ministrisë. Gjatë fjalës së tij, kryetari Haskuka gjithashtu dha informacione lidhur me çështje të ndryshme të ngritura nga kuvendarët, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me pandeminë.