Lirohet nafta, pas rimëkëmbjes së eksporteve të Lindjes së Mesme
Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të hënën (16.11.2026) derisa shenjat e rimëkëmbjes së qarkullimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit i kanë fuqizuar pritshmëritë për furnizim të bollshëm, ani pse incidentet e reja të tankerëve kanë vënë në pah rreziqet për eksportet e Lindjes së Mesme, raporton Reuters.
Kontratat e ardhshme të Brentit kanë pësuar rënie prej 69 centësh, ose 0.7%, në 95.15 dollarë për fuçi. Nafta bruto e West Texas Intermediate (WTI) në SHBA kanë shënuar rënie prej 37 centësh, ose 0.4%, në 88.19 dollarë për fuçi.

Tregu botëror i naftës do t’i kthehet suficitit në çerekun e katërt të këtij viti, ka njoftuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë të premten, derisa eksportet e Lindjes së Mesme po rimëkëmben më shpejt se kërkesa globale për naftë pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ndaj anijeve
“Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit SHBA-Iran, tregtarët po shqyrtojnë aktivisht mundësinë e furnizimit të tepërt në vend të reduktimit të vazhdueshëm”, njofton firma KCM Trade.
Furnizimi me naftë do të jetë mesatarisht 105 milionë fuçi në ditë në tremujorin e katërt, 1.7 milionë fuçi në ditë më i lartë se kërkesa e parashikuar, ka njoftuar IEA.

IEA kishte parashikuar më parë deficit furnizimi për tremujorin e katërt.
Agjencia ka shpalosur njashtu hollësi për vëllimet e mbetura nga nxjerrja rekord e naftës nga rezervat emergjente të anëtarëve të saj të premtuara në mars, duke thënë se 71 milionë fuçi do të vihen në dispozicion deri në fundshkurt, përfshirë 15 milionë fuçi nafte për të lehtësuar tkurrjen e tregut.![]()
Rreth 15 milionë fuçi në ditë naftë bruto qarkulluan nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit në vitin 2025, sipas të dhënave të IEA-s.

Oferta dhe kërkesa për naftë në Lindjen e Mesme janë përshtatur jashtëzakonisht mirë ndaj rreziqeve të rritura të transportit detar dhe çmimeve më të larta, ka raportuar Goldman Sachs në shënimin e së dielës.
Firma ka njoftuar se pret që Brent të jetë mesatarisht 88 dollarë për fuçi në vitin 2027 dhe të ulet në 78 dollarë për fuçi deri në fund të vitit 2027 për shkak të kthimit të furnizimit të bollshëm./Kallxo.com

