26-04-2024

Lirohet nga akuza ish-drejtori i Urbanizimit në Prizren

Ish-drejtori i Urbanizimit në Planifikimit Hapësinor në Prizren, Nijazi Kryeziu është liruar nga akuza për korrupsion.

Aktgjykimi është shpallur të martën nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Elezi tha se me asnjë provë nuk është vërtetuar se Kryeziu ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

E njëjta bëri të ditur se palët e pakënaqura me vendimin kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afatin prej 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndërkaq, tha se shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të gjykatës.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nën paragrafin 2.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.