Lirohet nga akuza punëtori i Postës në Malishevë
Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, e ka liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, punëtorin e Postës në Malishevë, Sahit Hoti.
Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, ka deklaruar se nuk është vërtetuar se i akuzuari Hoti, ka kryer veprën penale me të cilën e ka ngarkuar Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Pozhegu, ka deklaruar se pas analizimit të rastit, ka ardhur në përfundim se i akuzuari Sahit Hoti është i pafajshëm, sepse në veprimet e tij nuk ka elemente të veprës penale me të cilën është akuzuar.
Të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit, nuk ishin prokurori Ali Uka dhe as i dëmtuari Naim Sopaj.
I pandehuri Sahit Hoti, gjithashtu është liruar edhe nga shpenzimet procedurale, të cilat bien në barrën e Gjykatës.
Ndërsa, i dëmtuari Naim Sopaj, është udhëzuar në kontest civil.
Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, Sahit Hoti në cilësinë e personit zyrtar-sportelist në zyrën postare në Postën e Malishevës, nuk përmbush detyrën zyrtare të tij dhe seriozisht i shkelë të drejtat e të dëmtuarit Naim Sopaj, si drejtor i NNP “Sopi” me seli në Prizren në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor kishte parashtruar një prapësim kundër urdhrit përmbarimor të përmbaruesit privat, Saranda Kuqi.
Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, i dëmtuari kishte dërguar prapësimin të vendosur në zarf-pliko në Postën e Malishevës në sportelin ku të njëjtën e ka pranuar sportelisti, tani më i akuzuari Sahit Hoti, i cili e kishte vonuar dorëzimin e këtij dokumenti në Gjykatën Themelore në Prizren.
Sipas aktakuzës, ai një gjë të tillë e kishte bërë pas katër ditësh, por që kishte kaluar afati ligjor i prapësimit, me ç’rast Gjykata më pas kishte hedhur poshtë si të pasafatshme prapësimin e debitorit NNP “Sopi”./betimiperdrejtesi/