07-10-2024

Liverpooli kampion i Evropës

Liverpooli rikthehet në majën e futbollit europian, pasi mposht në finalen emocionuese të Champions League rivalët anglezë të Tottenhamit.

Gjithçka nisi në mënyrën më të papritur dhe të paimagjinueshme për “The Reds”, të cilët e panë veten në avantazh që në minutën e dytë të takimit, pas një 11-metërshi të diskutueshëm të akorduar pas vetëm 21 sekondash lojë.

Ndeshja do të ishte e dyluftuar, me raste të shumta dhe me një lojë shumë fizike, duke nxjerrë në pah karakteristikën kryesore të futbollit britanik, por pjesa e parë nuk do të ndryshonte asgjë. Në këtë pjesë, protagoniste u bë një femër që promovonte një faqe interneti të filmave “me pullë të kuqe”, e cila hyri në fushë me një bikini duke nxitur ndërhyrjen e punonjësve të sigurisë.

Në pjesën e dytë, Tottenhami do të përpiqej me gjithçka mundej, ndërsa një kontribut në ndryshimin e lojës dhanë edhe zëvendësimet e trajnerit Pocchettino, gjithsesi jo mjaftueshëm sa për të barazuar shifrat.

Atëherë kur u mendua se ndeshja do të shkonte drejt fitores minimale të Liverpoolit, një gabim në mbrojtjen e “Spurs”-ave do t’i jepte mundësinë sulmuesit belg Origi të shënonte golin e sigurisë, me një të majtë “vrastare”, ndaj së cilës portieri Lloris nuk mund të bënte asgjë.

Tashmë Liverpooli feston trofeun e gjashtë të Champions League, duke u ngjitur në vendin e tretë, pas Realit me 13 dhe Milanit me 7 trofe, e duke lënë Bayern Munchen e Barcelonën në kuotën e 5 kupave./Top Channel

Asnjë koment

Comments are closed.