24-04-2024

Malisheva së shpejti pritet të fillojë edhe tri projekte tjera të mëdha

“Krahas fillimit të ndërtimit të rrugës së transitit për Malishevën, së shpejti pritet të fillojnë edhe tri projekte të mëdha. Shumë shpejt pritet të përfundojnë procedurat për ndërtimin e Qendrës së Banimit Social, pastaj rregullimi i shtratit të lumit Mirusha dhe ndërtimi i kanalizimit nga Lladrovci deri në Malishevë dhe lidhja e tij me kolektorin kryesor të ujërave të zeza”, kështu ka deklaruar sot, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve.

Për dy projektet e fundit, të premten e kaluar, kryetari i Komunë së Malishevës, Ragip Begaj, e ka nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor.

Përndryshe në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve, është raportuar edhe për vazhdimin e projekteve kapitale dhe planifikimeve tjera komunale, si për përgatitjet për fillimin edhe të disa projekteve tjera.

Po ashtu, në këtë mbledhje është njoftuar edhe për përgatitjet për fillimin e aksionit të madh të pastrimit të ambientit, përkatësisht për largimin e deponive ilegale të mbeturinave, ku drejtoria komunale për shërbimet publike, së bashku me personat përgjegjës dhe nivelin qendrorë, do të fillojnë këtë aksion në fund të javës, më 15 shtator.

Gjatë kësaj jave, do të mbahet edhe “Dita e Rinisë”, përkatësisht më 12 shtator, ku janë paraparë të zhvillohen një varg aktivitetesh rinore.

Asnjë koment

Comments are closed.