27-04-2024

Malishevë: Dëshmitari thotë se i akuzuari për heqjen e shiritave të inspektoratit s’ishte në punë atë ditë

Dëshmitari Valdet Hajdini, ka deklaruar se i akuzuari Sefer Berisha, nuk ka qenë në punë, në ditën për të cilën pretendohet se ai i ka hequr shiritat e vendosur nga inspektorati komunal, ku atij i ndalohej ushtrimi i veprimtarisë biznesore.

Dëshminë e tij, Hajdini e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ne rastin ku Sefer Berisha akuzohet për veprën penale  “heqje apo dëmtim i vulave zyrtare ose i shenjave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Hajdini, ka thënë se në ditën kritike kur ka shkuar në kazino, nuk ka pasur shirita të vendosur, dhe sipas tij, policia ka shkuar në mbrëmje, dhe po në atë kohë e kanë mbyllur lokalin.

“Unë e kam qelë vetë lokalin atë ditë, dhe e kam mbyll me polici në mbrëmje, dhe atë ditë nuk ka pasur shirita të vendosur para lokalit”, ka thënë dëshmitari Hajdini.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatësit Njazi Morina se në ditën kritike a ka qenë në punë Sefer Berisha, dëshmitari Hajdini është përgjigjur se “jo nuk ka punuar”.

Në seancën e së mërkurës, dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari i dytë i propozuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Bekim Hoti.

Dëshmitari Bekim Hoti, ka deklaruar se nuk e din se pse është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria, për faktin se ai në kohën për të cilën akuzohet Sefer Berisha nuk ka qenë pronar i kazinosë.

“Nuk kam qenë pronar, atë kohë kam qenë asamblist në Komunën e Malishevës, dhe prej vitit 2012 nuk jam marrë më me veprimtarinë e kazinove”, ka deklaruar dëshmitari Hoti.

Ndryshe, në seancë nuk ka prezantuar dëshmitari i tretë, Bardhyl Zogaj, dhe në mungesë të tij, me vendimin e gjykatësit Njazi Morina, seanca është ndërprerë dhe ajo është shtyrë për 4 shtator 2019, në ora 11:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të përpiluar më 17 mars 2015, i akuzuari Sefer Berisha, akuzohet se më 11 nëntor 2014, rreth orës 18:20, në kazino “Market Plus”, në Malishevë, ka ushtruar veprimtarinë e vet edhe pse lokali në fjalë është mbyllur nga inspektorët komunalë në Malishevë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Berisha, në mënyrë të kundërligjshme ka larguar shiritat e vendosur nga inspektorët pasi është mbyllur lokali dhe për kundër kësaj ka vazhduar të punojë normalisht.

Me këtë, i akuzuari ka kryer veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, nga neni 414, paragraf 1, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.