05-05-2024

Malishevë: Drejtori i shkollës kërkoi që oferta të jetë më lirë, kurse nxënësit të paguajnë më shtrenjtë

Lidhur me organizimin e mbrëmjes së maturës, Hoti tash po akuzohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Kastrati, e ka bërë në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Gjakovës, gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Ali Uka.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Uka, dëshmitari Gëzim Kastrati, fillimisht tha se qëndron dhe është e saktë ajo çka është thënë në përgjimin e bërë nga policia me urdhëresë të gjykatës.

“Nuk e kam lajmëruar askënd, mirëpo policia në Prishtinë më ka thirr të nesërmen dhe më ka kërkuar që të bashkëpunoj me policinë në Gjakovë dhe sigurisht njëri prej neve kemi qenë në përgjim, ju kam treguar shumën prej 1500 eurove dhe ata mi kanë dhënë 400 euro, të cilat para kanë qenë të policisë dhe këto para i kam pranuar nga togerja Vjollca Vorfaj dhe pastaj kam bërë raportin zyrtar për bisedën 16 prill 2018”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka deklaruar se i akuzuari Izet Hoti, më parë i kishte kërkuar 1500 euro, ndërsa në takimin e bërë ndërmjet tyre në veturë, sipas tij, ai i ka kërkuar vetëm 1000 euro si huazim.

“Keqkuptimi ndërmjet meje dhe Izetit kishte ndodhur pikërisht në atë ditë kur i kërkoi 1000 euro, pasi që kur ma përmendi restorantin tjetër “Esra Palace”, unë kam menduar se po mi kërkon ryshfet”, ka thënë dëshmitari Gëzim Kastarti.

Prokurori Uka, propozoi që në cilësinë e dëshmitares të thirret hetuesja policore, Vjollca Vorfaj, meqenëse e njëjta ka punuar në këtë rast.

Ai ka thënë se kjo dëshmitare do të mund të ndihmonte lidhur me video-incizimet të cilat janë bërë në ditën kritike të 2 majit 2018 dhe e njëjta njëkohësisht të deklarohet lidhur me procedurat të cilat janë udhëhequr në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Emrush Kastrati, ka deklaruar që në parim për ndihmën teknike lidhur me video-incizimin e zyrtares policore nuk e kundërshton, ndërsa ka thënë se e kundërshton që ajo të dëgjohet si dëshmitare.

Kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika, e ka refuzuar propozimin e prokurorit Uka për dëgjimin e zyrtares policore Vjollca Vorfaj, në cilësinë e dëshmitares, ndërsa e ka aprovuar propozimin që ajo të jep ndihmën teknike së bashku me IT dhe e njëjta të deshifrojë CD-në me përgjimet e fshehta.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet më 1 prill 2019, në ora 09:00.

Në seancën fillestare të 19 tetor 2018, i akuzuari Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

I akuzuari Izet Hoti në shqyrtimin e dytë të mbajtur më 3 dhjetor 2018, kishte paraqitur kërkesë lidhur me hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, por që ajo është hudhur poshtë nga kjo gjykatë.

Ndërsa, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe e ka refuzuar ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit Izet Hoti, avokatit Emrush Kastrati, si të pabazuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, akuzohet se më 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.

Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Asnjë koment

Comments are closed.