03-05-2024

Malishevë: Dy të akuzuarit për vjedhje të rëndë pranojnë fajësinë

Dy nga tre të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Besnik Rudi dhe Besnik Hoti, e kanë pranuar fajësinë se në vitin 2012, në Malishevë i kishin thyer dy lokale, nga ku kishin marrë gjësende në vlerë prej mbi dy mijë euro.

Kurse, i akuzuari i tretë, Besnik Qelaj, ka mohuar fajësinë, duke thënë se ai nuk kishte qenë pjesë e grupit për të kryer këtë vepër.

Këto deklarime, tre të akuzuarit i kanë dhënë gjatë mbrojtjes së tyre, në seancën e së premtes që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakobë, dega në Malishevë.

Dy të akuzuarit Rudi dhe Hoti, kanë deklaruar se i bashkakuzuari Qelaj, nuk ka qenë me ta në momentin e kryerjes së veprës penale.

Ata kanë thënë se nuk e dinë se si është futur emri i të akuzuarit Besnik Qelaj në deklaratat e tyre dhënë në prokurori në vitin 2014.

Në seancën e së premtes, janë dëgjuar edhe dy dëshmitarë.

Në cilësinë e dëshmitarit, të propozuar nga prokuroria, është dëgjuar Azem Morina, i cili në kohën kur kishte ndodhur vjedhja, kishte qenë rojtar i lokalit të tani të dëmtuarit, Bajram Paçarizi.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i rastit, Ismet Tofaj, dëshmitari Morina, ka thënë se në natën kritike të 25 shkurtit 2012, ka qenë duke e ruajtur lokalin e të dëmtuarit Paçarizi dhe disa lokale të tjera përreth dhe në afërsi të lokalit, ka thënë se kishte parë disa persona me një veturë.

Ai ka thënë se në momentin kur kishte ndodhur vjedhja nuk kishte qenë afër lokalit të vjedhur, dhe se nuk e kishte parë se kush e ka thyer lokalin.

“Nuk e kam parë lokalin gjatë thyerjes, por e kam parë pasi është thyer, ku në atë moment kanë ardhur tre-katër persona me një veturë të tipit “101”, dhe kanë vazhduar në drejtim të një ordinance të dhëmbëve, dhe unë kam hyrë brenda në lokal, dhe pasi kam dalë nga lokali e kam parë që i njëjti është thyer”, ka thënë dëshmitari Morina.

Në cilësinë e dëshmitarit, në shqyrtim gjyqësor të mbajtur të premten, është dëgjuar edhe dëshmitari A.K, i cili kishte qenë i akuzuar për këtë rast të vjedhjes, por në një procedurë tjetër, pasi që ai kishte qenë i mitur.

Ky dëshmitar ka thënë se në natën kritike nuk ka qenë i përfshirë i akuzuari Besnik Qelaj.

“Atë natë në vjedhje nuk ka qenë Besnik Qelaj, po vetëm kemi qenë unë, Besnik Rudi dhe Besnik Hoti”, ka thënë ai.

Gjykatësi i rastit, Lulzim Paçarizi, më pas e ka ndërprerë seancën e së premtes, pasi që mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Agron Kryeziu, Liridona Javori, dhe Nuhi Krasniqi kanë  propozuar një gjë të tillë, për shkak se siç kanë thënë, u duhet kohë për tu përgatitur për fjalën përfundimtare.

Seanca e radhës është caktuar më 16 nëntor 2018, në ora 13:30.

Prokuroria Themelore në Gjakovë pretendon se më 25 shkurt 2012, rreth orës 02:00, të akuzuarit Besnik Rudi, Besnik Hoti, dhe Besnik Qelaj, së bashku me të miturin A.K, në qytetin e Malishevës, në lokalin “Alfa 2”, duke e hapur i akuzuari Besnik Hoti derën e lokalit me kaçavide, pronë e të dëmtuarit Bajram Bytyqi, dhe kanë marrë një palë dorëza dhe disa bizhuteri dhe kanë ikur n drejtim të panjohur.

Sipas aktakuzës, në natën e njëjtë, të akuzuarit Besnik Rudi, Besnik Hoti, dhe Besnik Qelaj, me një levë metalike kanë hapur derën e dyqanit “Goni” në Malishevë, dhe kanë vjedhur cigare në sasi të mëdha dhe mbushje telefonike të operatorëve të ndryshëm, dhe të dëmtuarit Bajram Paçarizi i kanë shkaktuar dëmin e përgjithshëm prej 2313 euro.

Të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë. /betimiperdrejtesi

Asnjë koment

Comments are closed.