Malishevë: E akuzuara e pranon fajësinë për aksidentin kur kishte goditur gurin skaj rrugës
E akuzuara për rrezikim të trafikut publik, Remzije Zogaj e ka pranuar fajësinë, në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Nazmi Krasniqi, e akuzuara Zogaj ka thënë se e ndien veten fajtore, duke kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, dhe se i kërkon falje të dëmtuarës.
Zogaj deklaroi se veprën penale e ka kryer nga pakujdesia, dhe se asnjëherë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.
Prokurori Krasniqi nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga e akuzuara Zogaj, pasi sipas saj, një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës, dhe është bërë në mënyrë vullnetare.
Ne seancë ka prezantuar edhe e dëmtuara Besa Kastrati, e cila deklaroi se kërkon kompensim dëmi dhe se i bashkëngjitet ndjekjes penale.
Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës, ndërsa atë e ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 12 prill 2019, në ora 11:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 5 mars 2018, Remzije Zogaj, po akuzohet se më 7 janar 2018, rreth orës 07:00, në fshatin Llapqevë, Komuna Malishevë, rrezikon trafikun publik duke shkelur rregullat e trafikut rrugor, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Zogaj, nga pakujdesia, duke drejtuar automjetin e markës “Mercedes”, dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, humbë kontrollin mbi automjetin e saj, dhe del jashtë rrugës në krahun e majtë të lëvizjes dhe godet një guri në skaj të rrugës.
Sipas aktakuzës nga ky aksident përveç dëmeve materiale në automjetin e të akuzuarës Zogaj, lëndime të lehta trupore pëson pasagjerja e saj, e dëmtuara Besa Kastrati, lëndime këto të përshkruara sipas ekspertizës mjekoligjore.
Me këtë e akuzuara Zogaj, po akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 6, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi