20-04-2024

Malishevë: I akuzuari për kanosje kërkon që lënda të shkojë në ndërmjetësim

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka mbajtur seancën fillestare në të cilën i akuzuari për veprën penale “kanosje”, Kushtrim Gashi ka kërkuar që lënda të dërgohet në procedurën e  ndërmjetësimit.

Para fillimit të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Agron Kryeziu i ka propozuar gjykatës që seanca e së hënës të shtyhet për një datë tjetër, pasi që ai ka thënë se i mbrojturi i tij është i interesuar që të provojë që më të dëmtuarin të arrijnë marrëveshje përmes procedurës së ndërmjetësimit.

Prokurori Armend Zenelaj nuk e  ka kundërshtuar propozimin e  mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Kryeziu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, gjyqtari Njazi Morina ka marrë aktvendim me të cilin e ka ndërprerë seancën dhe të njëjtën e ka shtyrë me 1 prill 2019, në ora 10:50, në të cilën seancë do të shqyrtohet mundësia e procedurës së ndërmjetësimit pasi që prezent nuk ishte edhe i dëmtuari Sami Toplana, edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 5 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Kushtrim Gashit, me arsyetimin se i njëjti, më 24 tetor 2017, rreth orës 08:30, te shkolla e mesme “Lasgush Poradeci”, në fshatin Kijevë të komunës së Malishevës, seriozisht e kanos të dëmtuarin Sami Toplana.

Sipas aktakuzës, thuhet se i dëmtuari Toplana, përmes një statusi në facebook, poston fjalët “asamblisti të cilin nuk e voton as e fejuara, kjo është pesha jote e vërtetë”, dhe një ditë para ditës kritike, i akuzuari Gashi e thërret në telefon të dëmtuarin, duke i thënë “çka ke postuar atë status në facebook, për mua e ke postuar, mirëpo nesër do të shihemi unë dhe ti”.

Në aktakuzë thuhet se, të nesërmen i akuzuari Gashi, me një shufër në dorë shkon tek oborri i shkollës, ku i dëmtuari punon si drejtor i shkollës, dhe pasi kontakton me sigurimin e shkollës, i thotë që ti tregoj të dëmtuarit Toplana, se është duke e pritur te dera e shkollës dhe se ka punë me të, ku më pastaj me veturën e tij largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 185 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.