Malishevë: I akuzuari pranon se e kishte sulmuar mjekun në Kijevë të Malishevës

I akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Mahmut Hoxhaj, e ka pranuar fajësinë, në seancën e shqyrtimit të dytë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Fillimisht gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi, në seancën e së enjtes lexoi rrjedhën e shqyrtimit fillestar dhe pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Hoxhaj, avokati Faik Morina, deklaroi se i mbrojturi i tij, kërkon nga gjykata që në shqyrtim të dytë t’i jepet mundësia që të deklarohet edhe një herë rreth fajësisë, pasi në shqyrtimin e parë ai ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas aprovimit nga gjykatësi Paçarizi, i akuzuari Hoxhaj, ka deklaruar se e pranon fajësinë në mënyrë vullnetare dhe ndihet thellë i penduar për rastin që ka ndodhur dhe se i premton gjykatës që në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm.

Ai po ashtu tha se, tani e një kohë i ka rregulluar edhe marrëdhëniet me të dëmtuarin.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Faik Morina, kërkoi nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit, për të mbrojturin e tij, gjykata të ketë parasysh rrethanat lehtësuese siç janë, pranimi i fajësisë, gjendja familjare, si dhe rregullimin i raporteve me palën e dëmtuar.

Mbrojtësi Morina, kërkoi që të mbrojturit të tij, nëse veç është e mundur, t’i shqiptohet dënim me gjobë.

Prokurori i rastit. Ismet Tofaj, deklaroi se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë, pasi që sipas tij, pranimi ka mbështetje në provat e lëndës.

Ai ka kërkuar nga gjykata të ketë parasysh rrethanat lehtësuese, pasi që i akuzuari sipas tij, ka pranuar fajësinë, si dhe rrethanat e tera lehtësuese apo rënduese.

Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa palët i ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 1 mars 2019, në ora 14:00, si dhe ka theksuar faktin se ardhja e palëve në shpallje të aktgjykimit nuk është e obliguar me ligj.

Shqyrtimi i dytë është mbajtur vetëm pas dështimit të katër seancave radhazi në këtë rast, të cilat ishin paraparë të mbaheshin më 20 nëntor dhe 11 dhjetor 2018, si dhe 17 janar dhe 12 shkurt të vitit 2019, dhe që të gjitha kishin dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 4 tetor të vitit 2018, i akuzuari Hoxhaj ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Në këtë rast për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe Albert Hoxhaj, por në seancën fillestare, të mbajtur më 4 tetor 2018, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është veçuar procedura penale ndaj tij, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, nga Stacioni Policor në Malishevë, i njëjti gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Itali.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 prill 2016, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Albert dhe Mahmut Hoxhaj akuzohen se më 08 dhjetor 2015 në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Ardit Kryeziu, mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Kijevë.

Bazuar në aktakuzë, të akuzuarit Hoxhaj duke u koordinuar në mes vete, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin Kryeziu në vendin e tij të punës, duke e goditur me mjet të fortë metali në krahun e djathtë dhe në shpinë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.

Me këtë, të ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”./BetimipërDrejtësi