25-04-2024

Malishevë: Pranon fajësinë i akuzuari për aksidentin tek qendra tregtare

I akuzuari për rrezikim të trafikut publik, Fitim Bibaj e ka pranuar fajësinë, në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bajram Kryeziu, i akuzuari Bibaj ka thënë se e ndien veten fajtor, duke kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bibaj deklaroi se veprën penale e ka kryer nga pakujdesia, dhe se asnjëherë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.

Prokurori Kryeziu nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Bibaj, pasi sipas tij, një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës, dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i çështjes, Lulzim Paçarizi ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa atë e ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 15 shkurt 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, më 20 nëntor 2017, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Fitim Bibaj, me pretendimin se i njëjti, më 23 korrik 2017, rreth orës 20:30, në rrugën kryesore në Malishevë, derisa ka qenë duke dalë nga parkingu i qendrës tregtare “Kastrati”, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve, Iliriana Bibaj, E.B, dhe Leutrim Hoti.

Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari duke dalë nga parkingu i qendrës tregtare “Kastrati”, pa u siguruar mirë dhe pa qenë i kujdesshëm gjatë kyçjes në rrugën kryesore, i pengon automjetit të të dëmtuarit Hoti, i cili po lëvizte në rrugën kryesore, dhe atë  godet në pjesën e parë ballore me pjesën anësorë të krahut të majtë.

Në aktakuzë thuhet se pas aksidentit, sipas ekspertizës mjekoligjore, të dëmtuarit pësojnë  lëndime të lehta trupore, ndërsa të dëmtuarit Hoti i shkakton edhe dëme materiale në  veturë.

Asnjë koment

Comments are closed.