24-11-2024

Malishevë: Të akuzuarit pranojnë sulmin fizik ndaj të dëmtuarit pasi nuk e kishte larguar veturën nga parkingu

Të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Arjanit Berisha dhe Kreshnik Zogaj, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e kanë pranuar fajësinë për veprën që iu vihet në barrë.

Pasi që aktakuza u lexua nga prokurorja Mone Syla, të njëjtit janë deklaruar se e ndiejnë veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, të akuzuarit Berisha dhe Zogaj, kanë kërkuar nga gjykata që ndaj tyre të shqiptohet një dënim sa më i butë, me arsyetimin se veprën e kanë kryer nga një keqkuptim i vogël, duke shtuar se me të dëmtuarin janë pajtuar dhe kanë raporte të mira.

Foto 24.07.2019

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurorja Syla, sipas të cilës një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 29 korrik 2019, në ora 15:15.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Arjanit Berisha dhe Kreshnik Zogaj akuzohen se më 15 korrik 2018, rreth orës 15:00, në Malishevë, lokacioni “Berishë”, në bashkëkryerje i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Shkëlqim Berisha, lëndime këto të konstatuara nga ekspertiza mjekoligjore.

Në aktakuzë thuhet se, derisa të akuzuarit po merreshin me parkimin e veturave në një aheng, nga i dëmtuari kërkojnë që ta largoj veturën dhe i njëjti refuzon, ku më pas fjalosen në mes vete, ashtu që të akuzuarit e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me grushte në regjionin ballor të anës së majtë të kokës.

Me këto veprime, Berisha dhe Zogaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.