24-04-2024

Manifestim kulturor, u mbajt takimi vëllazëror i Tërshnjakëve të Opojës

Ardhja e mërgimtarëve ka shtuar aktivitetet kulturore në Kosovë. Në kuadër të kësaj u organizua takimi i veçantë vëllazëror i trungut familjar Shainuka me mbiemër Tërshnjaku të Opojës, në bukuritë e zonës turistike të Bjeshkëve të Sharrit, në Brod/ Dragash.

Ky manifestim kishte për qëllim afirmimin e vlerave familjare e kulturore dhe kishte si simbolikë harmoninë, përafrimin me njëri tjetrin, unitetin. Pesha dhe mesazhi kryesor ishte “që pavarësisht se jetojmë të shpërndarë nëpër Botë, të qëndrojmë të bashkuar, të intensifikojmë kontaktet e bashkëpunimin, e të mos harrojmë njëri tjetrin, traditat, kulturën e kombin”.

Ngjarja u karakterizua me atmosferë madhështore, ku u diskutua konkretisht për ide e propozime të veçanta, projekte biznesore, rrjedhat kulturore, për rigjallërimin, kultivimin dhe begatimin e traditave, etj.

Morën pjesë pjesëtarë të shumtë të trungut Tërshnjaku të cilët jetojnë në Pllavë/Opojë/ Dragash, Prizren, Prishtinë, Amerikë, Gjermani, Austri, etj. Të brengosur nga dinamika e shpejtë e të jetuarit, jeta moderne e sodit, migrimet brenda dhe jashtë atdheut dhe ndryshimet shoqërore që po ndodhin u apelua që lidhjet familjare dhe traditat të mbahen, të ruhen dhe të përjetësohen ndër breza.

Asgjë nuk ka vlerë më shumë se sa afërsia familjare e gjenetike. U vendos që edhe në të ardhmen për çdo vit të ketë takime të tilla të veçanta. Në Brod/Dragash në zonën turistike të vendosur në lartësinë mbidetare mbi 1500 m tryeza ishte e mbushur me gatime tradicionale, djathë Sharri, mish, ëmbëlsira, pije, etj., bazuar në traditën e zonës së Opojës “bukë, kripë, e zemër”.

Iniciuesi dhe sponzorizuesi i organizimit Shkëlzen Trinjaku, ish ushtar i UÇK prej vitesh jeton në Amerikë. Aktualisht Tërshnjakët numërojnë qindra pjesëtarë e familje të shpërndara në Kosovë dhe nëpër Botë.

Janë ndër familjet më të shkolluara në Kosovë, që tradicionalisht identifikohet me arsimimin. Me dhjetëra të diplomuar në universitetet e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, që posedojnë gradat shkencore akademike, në mjekësi, jurisprudencë, ekonomi, filologji, media, filozofi, histori, sociologji, matematikë, inxhinieri, shkencat sportive, tregti dhe profesione të tjera. Ka dhe shkrimtarë e poetë./I.O

Asnjë koment

Comments are closed.