Marrëveshje për kredi në vlerë të 46 milionë eurove me Bankën Botërore
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent Covid-19 për Kosovën”.
“Mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga Covid-19, duke mundësuar ndër të tjera prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive. Për më tepër, në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”- njofton Ministria e Financave përcjell Klan Kosova.
Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore.
“Projekti i Emergjencës Covid-19” është arritur pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë në njërën anë, dhe Bankës Botërore në anën tjetër.