Masat e reja antiCOVID që pritet të merren nga Qeveria: Kthehet ora policore, shtyhet viti i ri shkollor
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur pas takimit që kanë pasur me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia në lidhje me masat e reja anti0COVID, që pritet të merren nga Qeveria e Kosovës.
“Kërkesë e AKK-së ishte të shtohen inspektimet në nivel komune dhe të ketë më shumë qendra për vaksinim, por kjo po varet edhe nga numri i vaksinave që ka Kosova në dispozicion. Po ashtu kërkuam që rekrutimi i stafit të ri të decentralizohet në nivel lokal”, theksoi Ibrahimi në një deklaratë për Telegrafin pas takimit me ministrin Vitia.
Sipas diskutimeve me nivelin komunal, që ka bërë ministri i shëndetësisë, Arben Vitia pritet që masat e reja të cilat do të jenë të vlefshme deri më 13 shtator të jenë këto:
Viti i ri shkollor të shtyhet deri më 13 shtator.
Të kthehet ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00.
Gastronomia të mbyllet nga ora 21:30.
Të shtohet staf shëndetësor dhe inspektorë rreth 1 mijë e 116.
Do të realizohen deri 92 për qind kërkesat e komunave për furnizim me barna esenciale.
Kosova do të furnizohet me rreth 470 mijë vaksina nga COVAX gjatë javës së parë të shtatorit.