Maturantët prizrenas informohen për ndryshimet në Test
Drejtues të Komisionit Shtetëror të Maturës dhe zyrtarë të drejtorisë së Arsimit në Prizren, të mërkurën kanë mbajtur një takim me maturantë të disa shkollave të Prizrenit, rreth përgatitjeve sa më të mira për organizimin dhe mbarëvajtjen e Testit të sivjetmë.
Në takimin e mbajtur në amfiteatrin e UPZ “ Ukshin Hoti”, përveç zyrtarëve të këtyre institucioneve dhe maturanëtve, ishin edhe zyrtarë dhe mësimdhënës të institucioneve shkollore në Prizren.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, ka lavdëruar gjeneratën e fundit të maturantëve prizrenas për rezultatet e arritura gjatë Testit të vitit të kaluar, ndërsa ka kërkuar që maturantët e tanishëm të mobilizohen më tepër për të arritur suksese edhe më të mëdha në Testin e radhës.
Ai gjithashtu tha se gjatë Testit të kaluar janë identifikuar edhe disa mangësi të cilat synojmë t’i eliminojmë këtë vit, duke përfshirë edhe administruesit e Testit. Zyrtari i drejtorisë së Arsimit në Prizren, Nexhat Maçkaj, tha gjithashtu se rezultatet e vitit të kaluar nga maturantët prizrenas janë inkurajuese, dhe se një gjë e tillë shpresojmë të arrihet edhe këtë vit, ndërsa maturantët më të suksesshëm do të mbështetën me bursa , që tashmë është një praktikë për kushte më të favorshme për studime në institucione më të larta arsimore, theksoi ai.
Maturantët prizrenas, parashtruan disa pyetje për zyrtarët e këtyre institucioneve, për t’u informuar sa më hollësisht që të përgatiten maksimalisht për Testin e radhës. Ndryshe, në bazë të Ligjit për Maturën, kalueshmëria e Testit është me 40 për qind të pikëve, ende nuk e ka përcaktuar datën e mbajtjes së Testit të Maturës, përveçse dihet se do të mbahet gjatë muajit, Qershor, kanë njoftuar drejtues të Komisionit Shtetëror të Maturës./tv prizreni