Mbahet shqyrtimi kryesor në rastin e rrënimit të aneksit “Abi Çarshia” në Prizren
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur seanca ndaj të pandehurve Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, të cilët po akuzohen për tejkalim të kompetencave në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren.
Seanca e sotme filloi me leximin e aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, pas leximit të së cilës të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Pas deklarimit të akuzuarve, seanca vazhdoi me dhënien e fjalëve hyrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën e tij hyrëse prokurori Mehdi Sefa, deklaroi se prokuroria pret që pas administrimit të provave të propozuara në aktakuzë, në tërësi do të vërtetohen veprimet e çdo të akuzuari si dhe do të argumentohet se aktakuza është ngritur në bazë të provave të pranueshme dhe e njëjta aktakuzë është bazuar në ligj, ku edhe do të vërtetohet në fund edhe përgjegjësia e të akuzuarve për veprën penale të kryer.
Përfaqësuesi ligjori palës së dëmtuar avokati Hekuran Hoda, deklaroi se me provat të cilat janë paraqitur nga ana e prokurorisë dhe me provat tjera eventuale që do të administrohen nga kjo gjykatë besojnë fuqishëm se do të vërtetohen pretendimet e aktakuzës dhe të akuzuarit do të gjinden fajtor për veprimet e tyre të cilat sipas tij, i kanë marr me dashje dhe duke e ditur se të njëjtat veprime janë në kundërshtim me ligjin.
Përfaqësuesi i të dëmtuarës ABI – SHPK Prizren Irfan Fusha, deklaroi se mbështet në tërësi në fjalën hyrëse të paraqitur nga avokati Hoda .
Mbrojtësi i të akuzuarit Islam Thaqi, avokati Blerim Mazreku në fjalën hyrëse deklaroi se gjatë këtij procesi gjyqësor nga provat që do të administrohen do të vërtetohet se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë së shtetit dhe po ashtu do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.
Tutje avokati Mazreku tha se prokuroria pretendon se i mbrojturi i tij së bashku me të akuzuarit tjerë nuk ka respektuar vendimin e Ministrisë, mirëpo gjatë administrimit të provave do të vërtetohet gjendje krejtësisht tjetër faktike ligjore dhe se gjatë këtij procesi po ashtu do të vërtetohet se nuk ekziston asnjë provë e vetme e cila do të provonte se në veprimet e të mbrojturit të tij ka ekzistuar dashja e drejtpërdrejte apo qëllimi për t’i shkaktuar dëm të dëmtuarit e që është element i domosdoshëm për të ekzistuar vepra penale.
Ndërsa i akuzuari Islam Thaçi deklaroi se mbështet në tërësi në fjalën hyrëse të paraqitur nga mbrojtësi i tij dhe shton gjatë kësaj seance gjyqësore që po zhvillohet ndaj tij dhe të pandehurve tjerë, po atakohet një institucion, në këtë rast Drejtoria e Inspektoratit gjegjësisht sektori i ndërtimit.
Mbrojtësi i të akuzuarës Jetmire Vrenezi, avokati Ardian Morina në fjalën hyrëse deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se e mbrojtura e tij si inspektore ka vepruar në pjatim të plotë me kompetencat e saja dhe se nga provat që do të administrohen gjatë këtij procesi gjyqësor do të vërtetohet se e akuzuara gjatë zhvillimit të procedurës në rastin konkret qëllim të vetëm ka pasur zbatimin e ligjit e jo siç pretendon prokuroria dëmtimin e palës ë dëmtuar.
E akuzuara Jetmire Vrenezi deklaroi se në tërësi mbështet fjalën hyrëse të paraqitur nga avokati i saj.
Mbajtësi i të akuzuarës Egzona Morina-Thaqi, avokati Valdet Hoxha në fjalën hyrëse deklaroi se pretendimet e prokurorit se e mbrojtura e tij duke nxjerrë aktvendimin për rrënimin vullnetar të objektit ABI – Qarshia i ka shkaktuar dëm kësaj kompanie nuk qëndrojnë, sepse e mbrojtura e tij këtë akt e ka nxjerrë një muaj para se këtu i dëmtuari të aplikoj për legalizim në Komunën e Prizrenit.
Tutje avokati Hoxha, deklaroi se bazuar në shkresat e lëndës rezulton se në rastin e të mbrojturës së tij nuk është realizuar figura e përgjithshme e veprës penale dhe se organit të ndjekjes qartazi i mungojnë provat për ta dëshmuar një pretendim të tillë, prandaj sipas tij janë të bindur që pas administrimit të këtyre provave, dëgjimit të dëshmitarit e akuzuara do të lirohet nga kjo akuzë dhe do të ketë aktgjykim lirues.
E akuzuara Egzona Morina -Thaqi deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën hyrëse të paraqitur nga mbrojtësi i saj.
I akuzuari Arian Taraku në fjalën hyrëse deklaroi se “në atë kohë unë kam punuar në Drejtorinë e Inspektorit si bashkëpunëtor teknik me kontratë mbi vepër dhe gjatë punës time kam zbatuar urdhërat e drejtorisë, ndërsa në aktakuzë nuk janë të ndara veprimet”.
I akuzuari Isë Bislimaj deklaroi se mbështet parafolësin gjegjësisht Arian Tarakun.
Mbrojtësi i të akuzuarit Shqipron Krasniqi, avoktai Bestar Kolgeci në fjalën hyrëse deklaroi se me administrimin e provave do të vërtetohet plotësisht pafajësia e të mbrojturit të tij dhe se në këtë procedurë sa i përket të mbrojturit të tij pretendon ta vërtetoj vetëm atë faktin që i mbrojturi i tij nuk ka nxjerrë asnjë vendim, nuk ka qenë prezent në asnjë mbledhje, nuk ka pas dijeni fare për rastin përveç që në ditën kritike 10 minuta para se të del Inspektorati në teren i është kërkuar nga eprori i tij që ta asistoj drejtorinë e Inspektorateve.
I akuzuari Shqipron Krasniqi deklaroi se mbështet në tërësi fjalën hyrëse të mbrojtësit të tij.
Pas dhënie së fjalëve hyrëse nga palët, i akuzuari Arian Taraku, e njoftoi trupin gjykues që ka probleme shëndetësore dhe nuk po mund të qëndroi në sallën e gjykimit.
Pas deklarimit të akuzuarit Taraku, trupi gjykues me kryetare gjyqtaren Kymete Kicaj, morën vendim që seanca të ndërpritet dhe e njëjta u caktua të mbahet me 22, 23 dhe 29 mars 2021 në ora 10:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, duke i ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi