25-11-2024

Mbi 1 mijë punëtorë fitojnë kontestin për paga shtesë për orët e punës në vikend në KEK

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kishin ngritur padi në vitin 2012, duke pretenduar se e paditura nuk i kishte kompensuar shtesë gjatë punëve të fundjavës për periudhën 1 tetor 2011 deri më 30 shtator 2017.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur se paditësit nuk ishin kompensuar për punën shtesë  gjatë fundjavës, e drejtë kjo që iu takonte në bazë të nenit 56 par.1 të Ligjit të Punës në të cilin ceket se “Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë, si më poshtë: 20%  në orë për kujdestari, 30% në orë për punë gjatë natës dhe punë jashtë orarit, 50% në orë për punë gjatë ditëve të festave dhe 50% në orë për punë gjatë fundjavës”.

Sipas arsyetimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore, rezulton se ishte provuar në bazë të kontratave të punës të vitit 2011 dhe nenit 39 të Kodit të Punës se ishte e paraparë kompensimi për orët shtesë për punën gjatë fundjavës.

“Megjithatë nga provat e administruara gjykata ka gjetur se paditësit posedojnë kontratat e punës me të cilat argumentohet se të njëjtin punojnë me ndërrime, ashtu që nga ekspertiza financiare është vërtetuar se ata kanë punuar edhe ditëve gjatë fundjavës (të shtunave dhe të dielave) varësisht prej kohës së punës përkatësisht ndërrimeve ndërsa e paditura nuk ua kompensuar 50% për orët për punë gjatë fundjavës e as nuk ua ka dhënë ndonjë ditë të lirë në emër të pagës shtesë”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Gjykata ka gjetur se në bazë të ekspertizës financiare të gjithë paditësit kishin punuar me ndërrime dhe të njëjtit kishin punuar edhe gjatë ditëve të fundjavës varësisht prej kohës së punës.

“Sipas dispozitave ligjore një ndër të drejtat themelore të punëtorit është paga, në këtë rast e drejtë themelore e paditësve është paga shtesë për punët e kryera gjatë fundjavës(të shtunave dhe dielave), sipas dispozitave të nenit 55 të Ligjit të Punës, të cilin të drejtë paditësit nuk e kanë realizuar”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Gjykata në këtë vendim kishte refuzuar kërkesëpadinë për disa paditës  pasi të njëjtit nuk kishin argumentuar bazën e kërkesëpadisë.

Në këtë proces pretendimet e të paditurës ishin se kërkesëpadia e paditësve ishte e pabazuar për faktin se paditësit nuk kishin punuar jashtë orarit të punës, nuk kishin pasur orë shtesë. Sipas KEK-ut paditësit kishin punuar gjatë orarit të rregullt të punës  për shkak se veprimtaria e KEK-ut ishte specifike, e paditura kishte bërë rregullimin e orarit të punës me ndërrime në harmoni me Ligjin e Punës .

Sipas KEK-ut,  punëdhënësi paguante orët shtesë vetëm jashtë orarit të rregullt të punës, në rast se punëtori thirret nga pushimi që të punonte në fundjavë.

Mirëpo këto pretendime, Gjykata i ka gjetur të pabazuara, pasi nga ekspertiza financiare kishte vërtetuar se faktin se paditësit kishin punuar gjatë fundjavës ndërsa nuk ua ka kompensuar shumën prej 50% të pagës.

Këtë vendim të Gjykatës së Prishtinës e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, kurse këto dy të fundit i ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme, e cila ka refuzuar revizionin e të paditurës.

“Gjykata Supreme e Kosovës, në këtë gjendje të çështjes konkrete juridiko civile, pranon si të themeltë qëndrimin juridik të gjykatave të instancës më të ulët, lidhur me aprovimin si pjesërisht të themeltë të kërkesëpadisë së paditësve, përkitazi me kompensimin e pagës shtesë për punët gjatë fundjavës, nga se aktgjykimet e instancave më të ulëta nuk janë marrë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore e as me zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe se nuk 10 përfshihen me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore për të cilat gjykata e revizionit kujdeset sipas detyrës zyrtare”, thuhet në arsyetimin e Supremes, raporton Betimi për Drejtësi.

Asnjë koment

Comments are closed.