Duket se viti 2018 është karakterizuar me rënie të qarkullimit në veprimtaritë afariste të Prizrenit. Gjatë kësaj periudhe në Qendrën Komunale të Biznesit janë evidentuar 184 raste të shuarjes së biznesit, kryesisht dyqane tregtare, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Numri i bizneseve të shuara megjithatë është më i ulët krahasuar se në vitin 2017, kur në Prizren ishin shuar afro 220 biznese. Numri më i madh i bizneseve është shuar gjatë shtatorit, gjithsej 26 sosh, derisa në gusht më pak apo vetëm gjashtë.
Ndër arsyet të cilat pronarët i kanë përmendur në formularin përkatës të QKB-së është rënia e qarkullimit ekonomik, që padyshim se është reflektuar në afarizmin e bizneseve të ndryshme, duke shtyrë ata ta bëjnë mbylljen e dyqaneve në mënyrë vullnetare.
Po ashtu, referuar zyrtarëve lokal një numër i bizneseve të shuara ndërlidhet edhe me thirrjet e vazhdueshme të autoriteteve komunale për çregjistrimin e subjekteve afariste, të cilët nuk janë aktive, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.
Në anën tjetër numri i bizneseve të reja të regjistruara në QKB gjatë vitit të kaluar ka qenë 771 sosh, apo 76 më shumë se në vitin 2017 kur ishin regjistruar 665 biznese të reja.
Referuar shënimeve të paraqitura nga vetë pronarët, në bizneset e reja të hapura janë punësuar kryesisht nga një apo dy e tre punëtorë, në të shumtën familjarë të pronarëve.
Në komunën e Prizrenit vlerësohet se veprimtari afariste, përfshirë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme zhvillojnë rreth 5.000 biznese. /GazetaePrizrenit.net/