12-07-2024

Mbi 19 mijë nxënës aplikojnë për testin e maturës, 500 prej tyre u refuzohet e drejta e nënshtrimit në këtë afat

19 mijë e 200 nxënës kanë aplikuar për t’iu nënshkruar testit të maturës, i cili mbahet të shtunën më 22 qershor, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Inspekcionit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij testi.

“Procedura e aplikimit ka përfunduar, maturantët kanë aplikuar nga 27 maji deri më 12 qershor. Maturantët që nuk pasur mundësi të aplikojnë online, për shkaqe teknike ditën e martë, shkollat na i kanë dërguar listat e tyre maturantëve dhe i kemi futur në listë edhe ata për të hyrë në testin e maturës. Në aplikacionin online kanë aplikuar diku 19 mijë e 200 nxënës, ku 18 mijë e 600 prej tyre kanë marrë konfirmim pozitiv për maturë, kurse rreth 500 maturantëve u është refuzuar aplikimi për shkak të mos-drejtës së nënshtrimit në këtë afat”, ka thënë Elezi.

Ai thotë se aplikacioni ka qenë i lehtë për përdorim, mirëpo disa nxënës kanë pasur probleme me llogaritjen e e-Kosova, pasi i kanë hapur më herët dhe i kanë harruar ose email adresën ose nuk iu ka funksionuar numri i telefonit dhe nuk kanë mundur të aplikojnë.

“Një numër i vogël prej tyre diku 300 nxënës që i kanë marrë aplikacionet më vonë, ka pasur raste kur edhe dje kanë ardhur në zyrë dhe kur kemi konfirmuar se nuk kanë mundur t aplikojnë për shkaqe teknike edhe ata nxënës”, shtoi ai.

Ai tha se nuk ka informacione nëse ka pasur ndonjë ankesë rreth aplikimit, pasi edhe ata që nuk kanë mundur të aplikojnë, listat i kanë dorëzuar shkollat dhe janë futur në platformën e-Kosova.

Elezi bëri të ditur se rezultatet e testit që mbahet me 22 qershor, do të publikohen në fund të qershorit.

“Tash jemi në fazën finale të përgatitjes, kemi caktuar në koordinim me komunat administrator të testit, janë të sistemuar në qendrat e testimit, kemi pasur trajnime me komisioner të testimeve dhe mendojmë se ketë vit rrjedha e tekstit do të shkojë normale ngase edhe nxënësit të themi në qendrat e sistemit mundësinë e kopjimit do jetë shumë i vogël”, tha Elezi për EO.

Elezi foli edhe për testet e viteve të kaluara ku kishte shumë kopjime nga nxënësit, pasi testi kishte dalë në rrjetet sociale.

“Testet, siç e dini në organizimin e viteve të kaluara ne i kemi publikuar teste te vitit të kaluar në web faqet e MASHTI-t, do të thotë testi i viti të kaluar është në adresë të Ministrisë, mirëpo nëse mendoni se testi del gjatë kohës së testimit, e dimë që viteve të kaluara me të filluar testimi në ora 9 kemi pasur publikime të disa pjesëve të testit, mirëpo ndikimi tek maturantët ka qenë minimal ose fare, ka pasur nxënës që ka arrit me përdorë telefonin, ta fotografoj dhe publikoj testin në rrejte sociale, mirëpo ndikimi tek tjerët ka qenë thuajse minimal”, u shpreh ai.

Elezi tha se nxënësit kur kanë aplikuar në e-Kosova, u është shkuar mesazhi me me rregullat e testit, ku nuk lejohet telefoni, sepse do të përballen me pasojat e largimit nga testi.

Ai i ka sugjeruar nxënësit që të mos marrin fare telefona me vete, pasi nuk do të lejohen t’i përdorin.

Asnjë koment

Comments are closed.