19-05-2024

Mbi 50 operatorë turistik nga bota në një tur ballkanik në Prizren

Mbi 50 operatorë nga rreth 30 shtete të ndryshme të botës, përfshirë SHBA-të, Anglinë, Gjermaninë, Kinën, Indinë, Zvicrën, Australinë, Malajzinë e shumë shtete të tjera, janë pjesë e një turi ballkanik, që po qëndrojnë edhe në Prizren, për të parë mundësitë që ofron kjo pjesë e Kosovës, shkruan  “GazetaePrizrenit.net”.

Vizita e organizuar nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës (SHTAK), që mbështetet nga Komuna e Prizrenit, Ministria e Punëve të Jashtme, dhe organizata Swisscontact, ka për qëllim promovimin e vendeve turistike, kulturës, traditës dhe ushqimeve tradicionale të Kosovës.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se me këtë rast është takuar me përfaqësuesit e këtyre agjencive turistike, të cilët i ka njoftuar se Prizreni ka një trashëgimi të madhe kulturore, bukuri të shumta natyrore dhe ende të pa-eksploruara për turizëm, sidomos në atë rural dhe malor.

“Këtu përfshihet rajoni i Hasit, Zhupës, Prevalla,  Vrrini,  ndërsa do të punohet edhe për riaktivizimin e Nashecit, dhe shtigjet e ecjes për Shtëpinë e Malorëve, Gurin e Zi, etj”, ka thënë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Zv/ministri i punëve të Jashtme, Çerkin Dugolli, ndërkaq ka thënë se karakteristikë e vendit tonë është mikpritja, ndërsa në Prizren pasuria e madhe me objekte kulturore, të atyre të kultit dhe objektet të tjera janë një mundësi e madhe për ta njohur trashëgimin.

Fotografia e Mytaher Haskuka

Organizimet e tilla do të ndikojnë në zhvillimin e turizmit në Kosovë dhe përfshirjen e Prizrenit në sa më shumë oferta turistike, anembanë botës./ GazetaePrizrenit.net/.

Fotografia e Mytaher Haskuka

Asnjë koment

Comments are closed.