Mbi gjysmë milioni euro pagesa pa mbulesë ligjore në projekte të MASHT-it, MKRS-së dhe MAP-it
537.279 euro është vlera e mjeteve që janë paguar pa mbulesë ligjore, ndërkohë që 745.497 euro është vlera e aneks-kontratave që sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) do të mund të përfshiheshin në kontratat bazë në disa projekte të ndërtimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Ministrisë së Administratës Publike (MAP).
Këto gjetje janë pjesë e raportit të Auditimit të Performancës për Menaxhimin e kontratave publike të ndërtimit në këto institucione për periudhën 2016-2018, që është publikuar ditë më parë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përzgjedhja e këtyre organizatave për auditim, sipas ZKA-së, është bërë për të përcaktuar efikasitetin dhe efektivitetin e menaxhimit të kontratave publike të ndërtimit.
Në vitet 2016-2018, mesatarisht këto organizata buxhetore thuhet se kanë shpenzuar rreth 100 milionë euro për investime kapitale. Afërsisht 60 për qind e këtyre fondeve, ose rreth 60 milionë euro, ishin shpenzuar për ndërtimin e objekteve arsimore, kulturore dhe sportive. ZKA-ja ka audituar 11 kontrata të ndërtimit në këto tri organizata buxhetore, që në total janë afërsisht 16.8 milionë euro apo rreth 16 për qind e shumës totale të investimeve kapitale në këto organizata.