03-11-2024

Mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës për keqpërdorim detyre ndaj punëtorit të Postës në Malishevë

Mbrojtja e sportelistit të Postës së Kosovës në Malishevë, Sahit Hoti, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza, që e ngarkon atë me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Një kërkesë e tillë, e ka bërë të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Nuhi Krasniqi.

Avokati Krasniqi, ka deklaruar se aktakuzën e ngritur ndaj klientit të tij e cilëson si të pabazuar, duke shtuar se i akuzuari Hoti, është komplet i pafajshëm dhe se sipas tij, një gjë e tillë do të vërtetohet pasi të administrohen provat në këtë proces gjyqësor.

Kurse, prokurori Agron Matjani, ka kërkuar që të refuzohen kundërshtimet e mbrojtjes, duke shtuar se aktakuza ndaj Hotit, ka prova të mjaftueshme, të cilat sipas tij, do të vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit.

“Sa i përket kundërshtimit të avokatit mbrojtësit Nuhi Krasniqi avokat nga Malisheva, i cili mbron të akuzuarin Sahit Hotin, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, se nuk ka prova që i akuzuari sipas kundërshtimit ka kryer këtë vepër penale dhe ka propozuar që aktakuza të hudhet si e tillë si e pabazuar, pasi që i akuzuari nuk ka kryer nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Aktakuza e ngritur për shkak të veprës penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar ka prova të mjaftueshme të cilat janë të cekura në aktakuzë si dhe deklaratat e të dëmtuarit Naim Sopi dhe dëshmitarëve Lulzim Krasniqi, Ismajl Telaku dhe Saranda Kuqi”, ka deklaruar prokurori Matjani.

Gjykatësi Gëzim Pozhegu, lidhur me propozimet ka deklaruar se Gjykata në kohë të caktuar do të vendos lidhur me aktvendim të veçantë të arsyetuar, ku më pas sipas tij, do të njoftohen palët në procedurë.

Sa i përket për ditën dhe kohën e mbajtjes së seancës së shqyrtimit kryesor, ai ka thënë se, palët do të njoftohen me ftesa të veçanta.

Ndryshe, në seancën e kaluar që ishte mbajtur më 16 maj 2018, i akuzuari Sahit Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet.

Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, Sahit Hoti në cilësinë e personit zyrtar-sportelist në zyrën postare në Postën e Malishevës, nuk përmbush detyrën zyrtare të tij dhe seriozisht i shkelë të drejtat e të dëmtuarit Naim Sopaj, si drejtor i NNP “Sopi” me seli në Prizren në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor kishte parashtruar një prapsim kundër urdhrit përmbarimor të përmbaruesit privat, Saranda Kuqi.

Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, i dëmtuari kishte dërguar prapësimin të vendosur në zarf-pliko në Postën e Malishevës në sportelin ku të njëjtën e ka pranuar sportelisti, tani më i akuzuari Sahit Hoti, i cili e kishte vonuar dorëzimin e këtij dokumenti në Gjykatën Themelore në Prizren.

Sipas aktakuzës, ai një gjë të tillë e kishte bërë pas katër ditësh, por që kishte kaluar afati ligjor i prapësimit, me ç’rast Gjykata më pas kishte hedhur poshtë si të paafatshme prapësimin e debitorit NNP “Sopi”./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.