Mbyllet edicioni i sivjetmë i manifestimit “Java e Remzi Ademaj- Shtigjeve të lirisë”
Të hënën është përmbyllur edicioni i 18-të i manifestimit tradicional “ Java e Remzi Ademaj- Shtigjeve të Lirisë”. Me ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për më të mirët në 9 disiplinat garuese në shtëpinë e kulturës “ Xhemajli Berisha”, ka përfunduar edicioni i radhës së manifestimit tradicional “ Java e Remzi Ademaj- Shtigjeve të Lirisë”.
Pjesë e kësaj ngjarje përveç nxënësve, prindërve dhe drejtuesve të shkollavë ishin edhe familjarë të heroit të Kosovës, Remzi Ademaj dhe zyrtarët më të lartë të komunës së Prizrenit. Kryetari, Mytaher Haskuka, uroi të gjithë pjesëmarrësit që ishin pjesë e këtij manifestimi, duke thënë se ata në të ardhmen duhet që të japin kontribut për zhvillimin e shoqërisë dhe vendit, sikurse ishte edhe heroi i Kosovës, Remzi Ademaj.
Drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi- Vezgishi, tha se rezultatet dhe sukseset e shkollave garuese janë impresive, dhe se krahas socializimit të nxënësve, kërkoi që organizmat sportiv e kulturor në Prizren të angazhohen më tepër në zbulimin e talentëve të shumtë që kemi në shkollat tona, theksoi ajo. Engjëll Ajazaj, është shpallur lojtari më i mirë i garave në futboll të vogël nga ekipi i shkollës fituese “ Dëshmorët e Zhurit” , si dhe Ariola Hajdari nga shkolla “ Emin Duraku”, e cila zuri vendin e tretë në garat e ping pongut, ishin shumë të lumtur për pjesëmarrje dhe me suksesin e arritur në garat përkatëse.
Në këto gara që janë organizuar përgjatë një jave kanë marrë pjesë rreth 1200 nxënës nga 40 shkolla të komunës, ndërsa në kuizin e diturisë më të suksesshëm janë shpallur nxënësit e shkollës “ Zenun Çoçaj” nga Gjonaj, duke lënë pas vetës bashkëmoshatarët nga shkolla “ Naim Frashëri” nga Vlashnja dhe ata nga shkolla “ Mic Sokoli” nga Lybeçeva. Për më të dalluarit janë shpërndarë mirënjohje, medalje dhe trofe./tvprizreni