Më 12 korrik Simmons dëshmon në Kuvend për EULEX-in
Ligjvënësit kosovarë, të hënën e 12 korrikut do të kenë një seancë të rëndësishme. Në Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet video-lidhjes do të paraqitet ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.
Pas aprovimit nga Komisioni për Legjislacion, data 12 korrik është caktuar për të dëgjuar pretendimet e Simmonsit. Ky i fundit pritet të raportojë për, siç pretendon ai, një mori skandalesh të EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave e ndikimet në dëshmitarë.
“Unë pres që ta jap dëshminë time në Parlamentin e Kosovës më 12 korrik. Kam besim se pasi të dëshmojë, Parlamenti të vendosë që të nis një hetim të plotë publik”, ka thënë Simmons. Në anën tjetër, avokati i Simmonsit, Artan Qerkini tregon për formatin e raportimit dhe pretendimet e ish gjyqtarit britanik.
“Pas kërkesës së ardhur nga Kuvendi që Simmons të raportoj më 12 korrik, kam kontaktuar me të, dhe ai e konfirmuar që do të raportojë nëpërmjet video-lidhjes. Arsyeja pse Z.Simmons nuk ka mundur të vie fizikisht në Kosovë, është përhapja e variantit Delta të Koronavirusit, dhe në rast se vjen do t’i duhej të qëndronte 2 javë në karantinë”, u shpreh Qerkini.