A DO TË FILLOJË RREGULLIMI I RRUGËS “ LIMAN SHALA” TË LAGJES “ BAJRAM CURRI”? (VIDEO) (video)
Banorëve të rrugës “ Liman Shala” të lagjes “ Bajram Curri”, më në fund pritet që të iu gjendet zgjidhje për rregullimin e rrugës. Punimet edhe pse me një intensitet të vogël kanë filluar, dhe pritet që projekti të kryhet , për t’i dhënë fund shqetësimeve të këtyre banorëve. Plaku i moshuar, Miftar Zejnullahu, i është gëzuar pa masë fillimit të punimeve në rregullimin dhe asfaltimin e rrugës ku banorët e saj kanë hequr të zitë e ullirit, si gjatë stinës së verës e më shumë gjatë asaj të dimrit. Mirëpo një bashkëmoshatar i tij, Rexhep Shala, aq është lodhur nga premtimet e ish pushteteve në Prizren se kjo rrugë do të rregullohej shumë kohë më parë, sa që shprehet i rezervuar se hallet e tyre së shpejti do të marrin fund. Ibrahim Poniku, në anën tjetër, thotë se fillimi i punimeve është mirëpritur nga të gjithë banorët e kësaj rruge, e cila sipas tij ka qenë e vetmja në Prizren e cila nuk është rregulluar. Mirëpo, ai thotë se projekti i filluar nuk është në favor të banorëve, të cilët javën në fillim do të dërgojnë një delegacion për të biseduar me zyrtarët e drejtorisë së Shërbimeve Publike, për zgjidhjen e disa ankesave të tyre që kanë të bëjnë me projektin në fjalë. Gjithashtu banorët e kësaj rruge kërkojnë nga organet kompetente komunale që të jenë më serioze dhe të mbikqyrin si duhet dinamikën e zhvillimit të punimeve në këtë projekt. Vlen të përmendet se për shkak të pranisë së madhe të baltës në këtë rrugë gjatë gjithë stinëve kur kishte të reshura atmosferike, banorët e saj e kishin emërtuar si në humor me emrin e çokollatës së njohur “ Nutella”. (tv prizreni)
Komento