18-04-2024

Në Ditën e Tokës, mbillen 1.500 fidane të pishave në Rahovec

Rahoveci, do të jetë nikoqir i aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Tokës, në nivel vendi për këtë vit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Komuna e Rahovecit, organizojnë aktivitete të përbashkëta edukimi dhe pastrimi.

Ministrja e MPH-së, Albena Reshitaj, ka thënë të dielen, në programin e mëngjesit të RTK-së, se në parkun e qytetit do të mbillen disa drunj dekorativ në simbolikë të Ditës së Tokës, kurse në disa lokacione të komunës së Rahovecit, të identifikuara si zona më të ndotura, do të bëhet pastrimi dhe mbjellja e rreth 1500 fidanëve të pishave.

Në bazë të agjendës së përcaktuar,  aktivitetet do të nisin në orën 10 në parkun e Rahovecit, ndërsa pritet të jenë të pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e MMPH Albena Reshitaj.

Ndër të tjera planifikohet edhe organizimi i një gare në vizatim dhe pikturë ndërmjet nxënësve të shkollave të Rahovecit, ndërsa temë do të jetë Toka dhe ambienti jetësor. Tri punimet më të mira do të shpërblehen me shuma modeste financiare. Po ashtu do të nxiten të rinjtë e të rejat që të përdorin materiale të riciklueshme, si dhe do të bëhet promovimi i prodhimeve bujqësore të komunës së Rahovecit.

Drejtoria e Planifikimit, Mbrojtjes së Mjedisit në Rahovec ka njoftuar se në përmbyllje të aktiviteteve do të organizohet një tryezë diskutimi me ekspertë dhe grupe e individë që merren me çështjet e ambientit dhe mbrojtjes së tokës.

 

Asnjë koment

Komento