Më shumë të shëruar me Covid-19 se raste pozitive

Rastet e infektimit me COVID-19 në Kosovë kanë shënuar rënie. Ditën e shtunë u shënuan vetëm 20 raste të reja, ndërsa u shëruan 197 pacientë.

Në raportin 24 orësh të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës të publikuar të shtunën, është bërë e ditur se nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Nga 2 mijë e 66 mostra të testuara, të shtunën kanë rezultuar vetëm 20 raste pozitive, ndërkaq janë shëruar 197 persona të cilët kanë qenë të infektuar me koronavirus.

Përveç të shtunës, edhe gjatë ditëve të tjera të javës që po lëmë pas, numri i të shëruarve ka qenë më i lartë se i rasteve pozitive.

“Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Janë shëruar 197 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 103.908. Në total numri i rasteve aktive është 1.334”, thuhet në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Raste aktive në nivel vendi janë 1 mijë e 334, ndqrkaq nga viti i kaluar deri më tani janë shënuar gjithsej 107 mijë e 486 raste pozitive, nga të cilat 103 mijë e 908 janë shëruar, ndërkaq 2 mijë e 244 persona kanë vdekur.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se mbi 78 mijë qytetarë tashmë janë vaksinuar kundër COVID-19.

Vetëm gjatë të shtunës u vaksinuan rreth 3 mijë qytetarë.