Mediat britanike: Klopp kërkon Januzajn zëvendësues të Shaqirit

Liverpooli po mendon për përforcime për sezonin e ardhshëm. Në orët e fundit po qarkullojnë lajme se trajneri Jurgen Klopp e ka zgjedhur Adnan Januzajn për ta zëvendësuar bashkëkombësin e tij, Xherdan Shaqiri, i cili mund të largohet nga “Anfield” gjatë kësaj vere.

Liverpooli u shpall kampion i Evropës në sezonin e fundit. Por, kjo nuk nënkupton se “Reds” nuk do të bëjnë lëvizje në ekip gjatë kësaj vere.

Sipas medieve britanike, klubi nga “Anfield” ia ka vënë syrin mesfushorit kosovar, Adnan Januzaj, i cili e ka rikthyer formën së fundmi duke luajtur për Real Sociedadin.

Sipas portalit “rushthekop.com”, trajneri Jurgen Klopp dëshiron ta përforcojë fazën ofensive dhe e sheh përfaqësuesin belg si lojtarin ideal për ta zëvendësuar Xherdan Shaqirin, i cili mund të largohet gjatë verës.

Përfaqësuesi zviceran për momentin është i lënduar dhe duket se trajneri gjerman nuk e ka ndërmend të presë gjatë, prandaj po e kërkon bashkëkombësin e Shaqirit.

24 vjeçari kishte luajtur edhe në të kaluarën në Premierligë, në Manchester United dhe Sunderland, ndërsa një kohë ishte huazuar edhe në Borussia Dortmund./rtk/GazetaePrizrenit.net