Memli Krasniqi përmbyll fushatën në Prizren: Shaqir Totaj është shpresa e këtij qyteti
Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Prizren. Në kryeqytetin historik të Kosovës u kërkua mbështetja qytetare më zgjedhjet e 14 nëntorit për ndryshim pushteti në qeverisjen komunale.
Mbështetje kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totajt i dha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se qeverisjes depresive të Haskukës po i vjen fundi.
“Ditët e qeverisjes depresive në Prizren kanë marrë fund. Prizrenit po i vjen kryetari që i duhet, për ta rikthyer në binarë të zhvillimit e perspektivës. Shaqir Totaj do të punojë për qytetarët, për të rinjtë e të rejat, për ata që e duan këtë qytet me zemër, e që e duan një kryetar kompetent e të ndershëm, që qeverisë me dinjitet e integritet, për ta, për familjet e tyre, për të ardhmen e fëmijëve të tyre”.
“Partia Demokratike e Kosovës, Prizrenin nuk e ka parë kurrë veç si komunë, por si vend që na bën bashkë, në aktivitet qytetar, civil, shpirtëror, kulturor, historik e identitar. Siç kemi ditur të rreshtohemi fuqishëm në projektet e mëdha politike për Kosovën, tani po rreshtohemi fuqishëm së bashku, për Prizrenin dhe qytetarët e tij”.