Memoriali i komandant “Drinit” në prag të konkretizimit në Prizren
Komuna e Prizrenit ka njoftuar për finalizimin e kontratës që ka të bëjë me ndërtimin e Memorialit kushtuar ish-komandantit të njohur të UÇK-së nga Prizreni, Ekrem Rexhës i njohur me nofkën “Drini”.
Referuar njoftimit, kontrata kap vlerën e përgjithshme prej rreth 139.500 euro, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Konkursi për Kompleksin Memorial kushtuar komandant Drinit është rishpallë pasi ofertuesit e paraqitur në konkursin e parë nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara.
Ekrem Rexha, ish-komandant i Zonës Operative të Pashtrikut u vra në rrethana misterioze para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit 2000. Për veprimtarinë e tij nga Presidenti i Kosovës është dekoruar “Hero i Kosovës”.
Hapësira e paraparë prej 1.400m² për vendosjen e Memorialit për komandant Drinin gjendet në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, apo në mini-parkun, përballë selisë së Kuvendit të Komunës (“Shtëpia e Bardhë).
Nuk njoftohet saktësisht se kur do të fillojnë punimet në terren. / GazetaePrizrenit.net /