Mërgimtarët po vazhdojnë t’i paguajnë polisat kufitare
Ku është Kosova me “Kartonin e Gjelbër” dhe çfarë ndodhi me vendimin e fundit të marrë nga ish Qeveria Kurti për të mbuluar shpenzimet e sigurimit kufitar?
Duket edhe kësaj vere, do të vazhdojë loja me mërgimtarët sa u përket pagesave për Kartonin e Gjelbër.
Është folur e përfolur shumë për heqjen e kësaj takse, apo edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrosë së Kartonit të Gjelbër. Por as njëra as tjetra nuk ndodhën deri më tash.
Përkundër faktit se çmimi i kësaj takse është përgjysmuar, ajo prapë konsiderohet si një lloj “vjelje” për të gjithë me vetura nga vendet e huaja, që hyjnë në Kosovë, e ku më të goditurit janë mërgimtarët kosovarë.
Pavarësisht ankesave apo debateve të shumta, pjesëmarrja masive e diasporës në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, duket se ishte një presion shtesë për qeverinë në ardhje që më në fund të bëhet edhe diçka për mërgatën.
Vonesat në formimin e saj, si dhe jeta e shkurtër e Qeverisë Kurti, bënë që vetëm në mbledhjen e 3 qershorit 2020, që ishte edhe mbledhja e fundit e kësaj qeverie, të merret një vendim sa i përket çështjes së Kartonit të Gjelbër.
Qeveria Kurti u rrëzua, mbeti e paqartë puna e Kartonit të Gjelbër
Në atë mbledhje, qeveria ka miratuar vendimin për të marrë përsipër koston e shpenzimeve për “Kartonin e gjelbër” për vitin 2020; në bazë të vendimit, Ministria e Financave dhe Transfereve në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera relevante do të duhej të krijonte një mekanizëm për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar për vitin 2020.
Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), prej vitit 2010 e deri në 2019, kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë mbledhur rreth 114 milionë e 517 mijë euro nga tarifat e sigurimit kufitar, kryesisht nga mërgimtarët. Mirëpo, shuma e dëmeve është shumë më e ulët. Vetëm 14 milionë e 744 mijë euro janë paguar për kompensimin e dëmeve për sigurimet kufitare nga kompanitë e sigurimeve. Diku në total rreth 1.5 -2 milionë euro mund të sillet kosto për dëmet vjetore, e që nuk do të ishte një barrë e madhe financiare për shtetin sidomos kur bën krahasimin me rolin e diasporës kosovare në ekonominë e vendore.
Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, tashmë ende nuk dihet saktë se çfarë do të bëhet me këtë vendim.
“Ky vendim është shumë i drejtë dhe është dashur të merret prej vitesh. Nëse Qeveria Hoti kthen mbrapa vendimin në fjalë, do të ishte një sinjal shumë i keq për diasporën tonë. Mirëpo deri më tani ende nuk kemi parë asnjë hapë në terren për implementimin e këtij vendimi”, deklaroi për Albinfo.ch, ish zv. Ministrja e MPJD, Liza Gashi, e cila është po ashtu një njohëse e mirë e çështjeve së diasporës.
Mërgimtarët paguajnë njësoj si më parë
Edhe përkundër faktit se ky vendim kishte hyrë menjëherë në fuqi, duket se nuk ka pasur asnjë ndikim sa i përket pagesës së polisave të sigurimit. Shumë bashkatdhetarë nga shtete të ndryshme që së fundmi kanë udhëtuar për Kosovë, i janë nënshtruar kësaj pagese.
Në anën tjetër, MPJD, e qeverisë së re, duket se ende është në konsolidim e sipër, prandaj nuk ka ndonjë të dhënë të saktë sa i përket vendimit të qeverisë paraprake.
Sipas zv. Ministrit të MPJD, i emëruar rishtas, Bekim Brestovci, i cili ka qenë një aktivist i dalluar në zgjidhjen e problemeve të Diasporës, pas edhe vet vjen nga ky komunitet, ende nuk ka ndonjë vendim final sa i përket kësaj çështjeje. Pas një bisede që ai pati me Ministren e MPJD, mund të pritet një vendim deri në fund të muajit, pasi të merret drita e gjelbër nga Ministria e Financave dhe Transfereve për zotërimin e mjeteve për mbulimin e shpenzimeve.
Sezoni veror tashmë është në prag. Pos pagesës së polisës së sigurimit, e cila është kundërshtuar ndër vite, procesi i pagesës saj ka shkaktuar shpesh herë vonesa e kolona të gjata.
Çfarë është Sigurimi kufitar i autopërgjegjësisë
Sigurimi kufitar i autopërgjegjësisë është sigurim, i cili është i obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Arsyet për blerjen e këtij sigurimi janë se Republika e Kosovës nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, dhe si rrjedhojë, asnjë karton i gjelbër i cilitdo shtet në botë nuk vlen në Republikën e Kosovës, përveç disa nga shtetet fqinje me të cilat Kosova ka nënshkruar memorandume të mirëkuptimit për njohje reciproke të sigurimeve.
Anulimi i vendimit do të ishte sinjal i keq për diasporën
“Ky vendim është shumë i drejtë dhe është dashur të merret prej vitesh. Nëse Qeveria Hoti kthen mbrapa vendimin në fjalë, do të ishte një sinjal shumë i keq për diasporën tonë. Mirëpo deri më tani ende nuk kemi parë asnjë hapë në terren për implementimin e këtij vendimi”, deklaroi për Albinfo.ch, ish zv. Ministrja e MPJD, Liza Gashi, që është po ashtu një njohëse e mirë e çështjeve së diasporës.