05-10-2024

Mësues më të mirë, shokë të drejtorëve apo servilë?

Në kontekstin e shënimit të 7 Marsit  – Ditës së Mësuesit, në shkollat e komunës së Prizrenit përzgjedhen edhe “Mësuesit më të dalluar”. Nga ajo çfarë kemi dëgjuar, k o bëhet pa përcaktimin paraprak të kritereve, kryesisht me propozime nga drejtorët, komisione të përzgjedhura apo në mënyrë indirekte të kontrolluar prej tyre.

Pra, në këtë ditë, realisht nuk kuptojmë se cilët janë mësuesit më të dalluar, por kush janë shokët e drejtorëve, puthadorët, servilët, ata që kanë mangësi në përgatitje profesionale, ata që neglizhencën në punë mundohen ta mbulojnë me përulje ndaj drejtorëve, butakët, militantë të partisë së drejtorëve … Me një fjalë, në shumicën e rasteve, del se përzgjedhen më pa meritorët.

A mund të bëhet shpallja e më të mirëve, pa përcaktimin paraprak të kushteve, rregull që vlen në të gjitha fushat?! Edhe kriteret duhet të përzgjedhen me kujdes, duke filluar nga kualifikimet, përvoja, mungesat në punë, kodi i veshjes, përfshirë gjithsesi edhe anën e domosdoshme morale në edukim.

Përkundër këtyre, shkollat tona dalin me njoftime pompoze “gjoja” për përzgjedhjen e më të dalluarve. Shumë nga arsimtarët e merituar, nuk reagojnë, nga mungesa e guximit dhe frika e hakmarrjes së drejtorëve. Pajtohen me të keqen. Heshtin, dhe kësisoj lejojnë propagandimin, ujitjen e së keqes. Në vend të reagimit për ta ndryshuar dashakeqësinë, ndryshojnë veten, pranojnë injorimin!

Shumë nga “drejtorët” i falin gabimet e tjerëve, por suksesin kurrsesi, aq më tepër nëse nuk je me partinë, grupin apo (pa) mendësinë e tyre.

Një mësues tregonte, se njëri nga drejtorët paraprakisht kishte përzgjedhur komisionin numërues, pastaj atë propozues, ndërsa në listë nuk ishin përfshirë më të mirët, por vetëm dy-tre sosh, gjersa vargu pasonte me puthadorët, që nuk ia prishin drejtorit, bashkëpartiakët e drejtorit.

Në arsim, si fushën më të ndjeshme, kjo në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar. Përveç tjerash, aty janë nxënësit, gjenerata në përgatitje, të cilave u servohen modele të këtilla si shembull. Pra edhe vetë arsimtarët e mirë, lejojnë “leksionin e keq”.

Propozojmë që derisa nuk gjendet një formë tjetër, kjo duhet ndalur. Pikërisht në ditën e tyre, bëhen padrejtësi ndaj mësuesve meritorë e të dinjitetshëm. Kjo shkakton pakënaqësi e përçarje nëpër kolektive?

Këtë çmim nuk duhet kuptuar vetëm si një copë letre, por si një vlerë e merituar. Po, a mund të ndodh kjo, kur dihet edhe vetë mënyra e zgjedhjes së drejtorëve, ku dalin edhe afera?!  

Sa herë që bëhet fjalë për përzgjedhjen, për ilustrim duhet marrë një reflektim nga japonezët:

Në pyetjen e parashtruar një japonezi, se si mund të jenë kaq të mençur e të përparuar?!Ai përgjigjet:

“Shumë popuj janë më të mençur se ne japonezët! Ndërsa ne jemi vetëm më të kujdesshëm se të tjerët! Vetëm 10 % japonezët janë të mençur, por pikërisht nga 10 vetë dinë që brenda tyre ta zgjedhin njërin(1) më të mençur, ndërsa 9 të tjerët janë të përkushtuar ndaj këshillave të tij”.

Urime 7 Marsi të nderuar, qofshi deri në pafundësi Mësues të Respektuar! / Gazeta e Prizrenit

 

Asnjë koment

Comments are closed.