02-12-2024

Meta: taksa në rrugën e kombit e gabuar

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një interviste të dhënë në mbrëmje për RTV21, ka deklaruar në mënyrë të prerë e të qartë se “Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”.

Po ashtu, Meta ka folur detajisht për marrëdhëniet mes dy vendeve tona si dhe në saktësisht për taksën që është vënë në Rrugën e Kombit për të cilën ka pasur reagime të shumta.

Kjo është pjesë e shkëputur nga intervista:

Zoti President, si mund të arrihet bashkimi kombëtar, që është ëndërr e të gjithë shqiptarëve, duke vendosur taksë 5 Euro për Rrugën e Kombit, raporte të ftohura mes dy kryeministrave, produktet e Kosovës nuk blihen shumë në Shqipëri?

“Padyshim ky është një problem mjaft i madh. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të jenë më komplementare me njëra-tjetrën, duhet të plotësojnë ato boshllëqe apo mangësi që vijnë për shkak të karakteristikave të ndryshme të potencialeve, të burimeve të zhvillimit ekonomik, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës”, ka thënë Meta.

“Në këtë drejtim duhet të krijojmë sa më shumë lehtësira. Ju e dini qëndrimin tim për taksën e Kalimashit, që është një taksë mjaft e gabuar dhe dekurajuese, qoftë edhe nga ana psikologjike, duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është edhe për Shqipërinë dhe për Kosovën ky qarkullim pa pengesa midis qytetarëve tanë”

“Jo vetëm për qytetarët, por edhe për tregtinë, po të kemi parasysh se sa e kushtueshme është sidomos për të vënë në funksion të Kosovës edhe portet e Shqipërisë në të ardhmen”

Tutje Meta ka thënë se shumë pak ka pasur rezultat nga takimet e përvitshme të liderëve të dy shteteve shqiptare.

Asnjë koment

Comments are closed.